
Dikur ishte Xhani De Biazi, ai i cili në drejtimin e Shqipërisë shkarkonte me radhë trajnerët kundërshtarë të kuqezinjve në eliminatoret e “EURO 2016”. Tani, është pikërisht ish-trajneri i kombëtares shqiptare ai i cili mund të përfitojë nga shkarkimi i një tekniku pas një humbje përballë Shqipërisë.
Fernando Santos u largua nga drejtimi i Polonisë pak ditë pas humbjes 2-0 në Tiranë që thuajse u dha fund shpresave të polakëve për kualifikimin në “EURO 2024” nëpërmjet fazës në grupe. Në Poloni ka nisur menjëherë kërkimi për trajnerin e ri dhe një nga emrat që është diskutuar është ai i Xhani De Biazit.
Mediat polake bëjnë të ditur se emri i tij u është sugjeruar drejtuesve të Federatës si një opsion, duke pasur parasysh se ai ka qenë kandidat për stolin e Polonisë edhe në të kaluarën. Në fakt, De Biazi ishte shumë pranë emërimit trajner i kësaj kombëtareje dhe kishte një akord me Zbigi Boniek, kur ky i fundit bëri prapakthehu dhe zgjodhi Paulo Souzën në vend të teknikut italian, i cili më pas firmosi për Azerbajxhanin.
Lini një Përgjigje