
Një ngarkesë me produkte ushqimore e transportuar nga Shqipëria është bllokuar nga autoritetet malteze dhe është urdhëruar të asgjësohet, pasi gjatë kontrolleve janë konstatuar shkelje të rregullave të sigurisë ushqimore.
Sipas Autoritetit për Sigurinë dhe Mbrojtjen Ushqimore të Maltës (FSSA), ngarkesa mbërriti në ishull me një furgon përmes tragetit nga Siçilia, pasi kishte udhëtuar nga Shqipëria.
Kontrollet zbuluan parregullsi në disa kategori produktesh, përfshirë mish, kos, djathë, vezë, vaj ulliri, fasule, ushqime të paketuara, pije freskuese, pije alkoolike, kripë dhe lëngje.
Autoritetet njoftuan se një pjesë e mallrave nuk ishin transportuar në temperaturat e kërkuara, ndërsa disa produkte të tjera nuk shoqëroheshin me etiketimin dhe dokumentacionin e nevojshëm për gjurmueshmërinë e tyre.
Për shkak të këtyre shkeljeve, FSSA vendosi të vulosë të gjithë ngarkesën dhe të urdhërojë asgjësimin e saj, me argumentin se masa është e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit publik dhe të industrisë ushqimore në Maltë.
Autoriteti maltez bëri të ditur gjithashtu se nuk kishte marrë njoftimin e detyrueshëm për mbërritjen e ngarkesës. Sipas legjislacionit në fuqi, importuesit duhet të informojnë autoritetet të paktën 48 orë përpara futjes në vend të produkteve ushqimore, kafshëve, ushqimit për kafshë apo bimëve.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur sasinë e produkteve të sekuestruara.

Made in Bathore hesapi.