TAGS-AT E JAVËS

Sport27 Qershor 2026, 17:43

Autogoli, "golashënuesi" më i mirë i Botërorit; barazohet rekordi i Kupës së Botës ‘Rusi 2018’

Shkruar nga Pamfleti
Autogoli, "golashënuesi" më i mirë i Botërorit;
Autogolat në Kupën e Botës

Botërori 2026 po zhvillohet në përmasa të paprecedenta. Me tre vende organizatore, 16 qytete pritëse, 48 skuadra pjesëmarrëse dhe 104 ndeshje në program, ky është edicioni më i madh në historinë e Kupës së Botës. Megjithatë, përveç yjeve të futbollit që kanë lënë gjurmën e tyre, statistikat tregojnë një tjetër protagonist të pazakontë: autogolin.

Deri më 25 qershor, në turne janë shënuar 173 gola në 59 ndeshje, prej të cilëve 12 janë autogola. Kjo shifër barazon rekordin e vendosur në Botërorin e Rusisë 2018, ku i gjithë kompeticioni u zhvillua në vetëm 64 ndeshje.

Autogoli i parë i këtij Botërori u regjistrua në ndeshjen debutuese të Paraguajit ndaj Shteteve të Bashkuara. Damian Bobadilla devijoi në portën e tij një top të harkuar nga Ueston MekKeni në minutën e shtatë, duke i dhënë avantazhin 1-0 skuadrës së drejtuar nga Mauricio Poçetino. Më pas, edhe Burges shënoi autogol në një tjetër përballje me SHBA-në, e cila deri tani rezulton skuadra që ka përfituar më shumë nga gabimet e kundërshtarëve.

Në listën e autogolave bie në sy edhe Katari, që ka regjistruar dy të tillë. Mohamed Manai shënoi në portën e tij në ndeshjen ndaj Kanadasë, ndërsa portieri Mahmud Abunada bëri të njëjtin gabim në sfidën kundër Bosnjës. Autogola kanë regjistruar gjithashtu Arabia Saudite, Jordania, Iraku dhe Uzbekistani. Më i fundit në këtë statistikë është ai i Tunizisë në përballjen me Holandën.

Historikisht, autogolat kanë qenë një fenomen i rrallë në Kupën e Botës. Gjatë shekullit XX, në shumicën e edicioneve janë regjistruar vetëm një ose dy autogola, ndërsa në Botërorët e viteve 1934, 1950, 1958, 1962 dhe 1990 nuk u shënua asnjë.

Rritja e këtij treguesi nisi në Francë 1998, ndërsa kulmi u arrit në “Rusi 2018”, ku u vendos rekordi prej 12 autogolash në 64 ndeshje. Pas rënies së ndjeshme në vetëm dy autogola në “Katar 2022”, Botërori 2026 e ka barazuar tashmë këtë rekord, ndërkohë që ka ende dhjetëra ndeshje për t'u zhvilluar. Duke pasur parasysh formatin e zgjeruar të turneut, gjithçka lë të kuptohet se rekordi i autogolave do të thyhet në ditët në vijim.

autogolat në kupën e botës rekordi i "rusi 2018"

Lini një Përgjigje