Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ledjon Memushaj, po nis të ndërtojë me sukses karrierën e tij si trajner në futbollin italian. Pas një karriere të gjatë si futbollist, ku u aktivizua edhe në elitën e futbollit italian, 39-vjeçari nga Vlora ka hyrë tashmë në radarët e disa klubeve të Serisë C.
Memushaj hodhi hapat e parë në rolin e trajnerit tek akademia e Peskarës, menjëherë pasi i dha fund karrierës si lojtar. Më pas ai pati një eksperiencë të shkurtër në Shqipëri, si ndihmës i Luixhi Di Biaxhio te Dinamo në Kategorinë Superiore.
Pas largimit të trajnerit italian nga klubi kryeqytetas, Memushaj u rikthye në Itali, ku vijoi angazhimin tek akademia e Peskarës. Në sezonin e fundit ai provoi për herë të parë rolin e trajnerit kryesor, duke drejtuar Leon në Serinë D.
Eksperienca e tij në pankinë konsiderohet pozitive, pasi skuadra arriti të rivalizojë për ngjitjen në një kategori më të lartë. Pikërisht kjo paraqitje ka bërë që disa klube të interesohen për shërbimet e tij.
Sipas raportimeve nga Italia, një nga klubet më të interesuara është Altamura, ekip që militon në Serinë C dhe synon ngjitjen në Serinë B. Nëse palët arrijnë një marrëveshje, ky do të ishte një hap i rëndësishëm në karrierën e re të Ledjon Memushajt si trajner.
Lini një Përgjigje