Lista e përfaqësueses gjermane për Kupën e Botës duket se është publikuar në media një ditë para shpalljes zyrtare nga trajneri Julian Nagelsman. Sipas raportimeve, tekniku gjerman ka vendosur të rikthejë në kombëtare portierin veteran Manuel Nojer.
40-vjeçari kishte njoftuar tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar pas “EURO 2024”, por tani pritet të marrë sërish rolin e portierit të parë të Gjermanisë. Oliver Bauman do të mbetet alternativa e dytë, ndërsa Aleksander Nybel pritet të jetë portieri i tretë në skuadër. Mediat raportojnë gjithashtu se Jonas Urbig do të udhëtojë me ekipin, por pa u përfshirë në listën finale.
Një tjetër emër që ka tërhequr vëmendje është ai i sulmuesit të Këlnit, Said El Mala. Talenti i ri ka zhvilluar një sezon mbresëlënës në Bundesliga, duke realizuar 13 gola dhe 5 asiste në edicionin e tij të parë. Në listë pritet të përfshihen edhe futbollistë të rinj si Lenart Karl dhe disa talente të tjera premtuese.
Nga emrat më të njohur të ekipit nuk mungojnë Kai Haverc, Florian Uirc, Xhoshua Kimish, Jamal Musiala, Antonio Rydiger, Xhonatan Tah dhe Niko Schloterbek. Në të kundërt, sulmuesi i Milanit, Niklas Fylkrug, nuk pritet të jetë pjesë e përfaqësueses për këtë turne.
Për Julian Nagelsman, ky do të jetë turneu i dytë madhor në krye të Gjermanisë. Trajneri synon të ndërtojë një skuadër që kombinon eksperiencën e lojtarëve veteranë me energjinë dhe talentin e brezit të ri, për sfidat që do të zhvillohen në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Lini një Përgjigje