Holanda mbetet një nga kombëtaret më ikonike në historinë e Kupës së Botës. Edhe pse nuk ka arritur ende të ngrejë trofeun më të rëndësishëm të futbollit, përfaqësuesja holandeze ka ndërtuar një histori të jashtëzakonshme në arenën botërore, duke luajtur tri finale dhe duke qenë vazhdimisht protagoniste në kompeticionet madhore.
Për një vend me rreth 18 milionë banorë, suksesi i “Tulipanëve” konsiderohet i jashtëzakonshëm. Që prej Botërorit të vitit 1974, Holanda ka arritur gjithmonë në fazën me eliminim direkt në çdo pjesëmarrje të saj. Tashmë, skuadra po përgatitet për një tjetër sfidë të madhe në Kupën e Botës 2026, e cila do të zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kuman rikthehet për të udhëhequr Holandën
Në janar të vitit 2023, Ronald Kuman mori për herë të dytë drejtimin e kombëtares holandeze, pas largimit të Luis van Gal në përfundim të Botërorit “Katar 2022”.
Trajneri me përvojë ka drejtuar disa nga klubet më të njohura europiane, mes tyre Barcelona, PSV Eindhoven, Ajaks dhe Everton. Përveç karrierës si trajner, Kuman ka lënë gjurmë edhe si lojtar i Holandës në Botërorët e viteve 1990 dhe 1994, ku u dallua për goditjet standarde dhe saktësinë nga pika e bardhë, pavarësisht rolit si mbrojtës.
Ndeshjet e Holandës në fazën e grupeve
Holanda do të përballet me një grup interesant në Botërorin 2026. Programi i ndeshjeve është si më poshtë:
14 qershor: Holandë – Japoni, në Dallas
20 qershor: Holandë – Suedi, në Hjuston
25 qershor: Tunizi – Holandë, në Kansas City
Kualifikim i siguruar në fund
Holandezët siguruan biletën për në Botëror vetëm në ndeshjen e fundit të eliminatoreve europiane, pas fitores së thellë 4-0 ndaj Lituanisë më 17 nëntor.
Skuadra e drejtuar nga Kuman e mbylli Grupin G pa humbje, duke barazuar vetëm dy herë 1-1 ndaj Polonisë. Në total, Holanda realizoi 25 gola dhe pësoi vetëm dy, në përballjet me Poloninë, Finlandën, Maltën dhe Lituaninë.
Historia e Holandës në Kupën e Botës
Konfederata: UEFA
Pjesëmarrja e parë: Itali 1934
Pjesëmarrje gjithsej: 12
Arritja më e mirë: Finaliste më 1974, 1978 dhe 2010
Botërori i fundit: Katar 2022 (çerekfinale)
Rekordi total: 55 ndeshje, 30 fitore, 14 barazime, 11 humbje
Gola të shënuar: 96
Gola të pësuar: 52
Tri finale dhe tri zhgënjime
Holanda ka qenë shumë pranë triumfit botëror në tri raste, por gjithmonë është ndalur në hapin e fundit.
Në vitin 1974, skuadra legjendare e Johan Krojf u mposht 2-1 nga Gjermania Perëndimore në finale. Katër vite më vonë, “Tulipanët” humbën sërish ndaj Argjentinës, që fitoi 3-1 pas kohës shtesë në Buenos Aires.
Finalja e tretë erdhi në Botërorin e vitit 2010 në Afrikën e Jugut. Holanda u mposht 1-0 nga Spanja falë golit vendimtar të Andres Iniestës në shtesë.
Drama ndaj Argjentinës në "Katar 2022"
Një nga ndeshjet më dramatike të historisë së fundit të Holandës ishte çerekfinalja ndaj Argjentinës në Botërorin “Katar 2022”.
Holandezët ishin në disavantazh 2-0, por hyrja në lojë e Ut Ueghorst ndryshoi rrjedhën e sfidës. Sulmuesi shënoi në minutën e 83-të dhe më pas realizoi golin e barazimit në shtesë, duke çuar takimin në penallti.
Megjithatë, Argjentina triumfoi falë pritjeve të portierit Emiliano Martinez, i cili ndali goditjet e Virgil van Dajk dhe Stiven Berguis.
Yjet që kanë bërë histori
Xhoni Rep mbetet golashënuesi më i mirë i Holandës në historinë e Kupës së Botës me shtatë gola, të realizuar në edicionet 1974 dhe 1978.
Ndërkohë, rekordin për më shumë paraqitje në Botëror e mbajnë Uesli Shnajder dhe Robin van Persi, me nga 17 ndeshje secili.
Momente ikonike të “Tulipanëve”
Holanda ka dhuruar disa prej momenteve më të paharrueshme në historinë e Botërorit.
Në vitin 1974, Johan Krujf prezantoi lëvizjen legjendare “Cruyff Turn”, që ndryshoi mënyrën e interpretimit të futbollit modern.
Në Botërorin 1998, Denis Bergkamp realizoi një nga golat më të bukur të kompeticionit ndaj Argjentinës, ndërsa në vitin 2014 Robin van Persi mahniti botën me golin spektakolar me kokë kundër Spanjës.
Po në atë edicion, trajneri Luis van Gal bëri histori kur aktivizoi portierin Tim Krul vetëm për goditjet e penalltive ndaj Kosta Rikës. Krul priti dy penallti dhe Holanda siguroi kualifikimin.
Fitorja më e thellë në Botëror
Fitorja më bindëse e Holandës në Kupën e Botës u regjistrua në Francë 1998, kur “Tulipanët” mposhtën 5-0 Korenë e Jugut.
Në atë sfidë realizuan Filip Koku, Mark Overmars, Denis Bergkamp, Pier van Huijdonk dhe Ronald de Bër, në një tjetër paraqitje që mbetet pjesë e historisë së futbollit holandez.
Lini një Përgjigje