UEFA po planifikon një ndryshim të madh në formatin e kompeticioneve për kombëtaret, duke përfshirë kualifikueset e Kampionatit Europian, Kupës së Botës dhe Ligës së Kombeve. Sipas modelit të ri, i cili u është prezantuar Federatave gjatë ditëve të fundit, sistemi do të përshtatet me formulën që aktualisht përdoret në kompeticionet për klube, si Liga e Kampioneve.
Ndryshimi më i rëndësishëm lidhet me mënyrën e zhvillimit të ndeshjeve kualifikuese. Në vend të përballjeve vajtje-ardhje në fazën e grupeve, skuadrat do të luajnë vetëm një ndeshje ndaj secilit kundërshtar, qoftë në shtëpi ose në transfertë. Grupet do të jenë më të mëdha dhe secila kombëtare do të përballet me kundërshtarë të ndryshëm në një format të ngjashëm me atë të “Swiss system”.
Edhe Liga e Kombeve do të pësojë ndryshime të rëndësishme. Formati aktual me katër liga do të zëvendësohet nga tre liga me nga 18 ekipe secila. Çdo ligë do të ndahet në tre grupe me nga gjashtë skuadra. Ekipet do të zhvillojnë gjashtë ndeshje kundër pesë kundërshtarëve të ndryshëm, duke luajtur njëherë ndaj secilit, në shtëpi ose jashtë fushe.
Për shkak të numrit total prej 55 Federatash pjesëmarrëse, Liga C do të ketë një grup me shtatë ekipe, i cili do të nisë ndeshjet më herët se të tjerët. Ndërkohë, çerekfinalet, faza “Final Four” dhe “play-off”-et për ngjitje apo rënie nga kategoria do të mbeten të pandryshuara.

Ndryshime do të ketë edhe në kualifikueset e Kupës së Botës. UEFA synon të krijojë një sistem me dy divizione: Liga 1 dhe Liga 2. Liga 1 do të përfshijë 36 kombëtaret e Ligave A dhe B të Ligës së Kombeve, ndërsa Liga 2 do të përbëhet nga 18 ose 19 ekipet e mbetura.
Liga 1 do të ndahet në tre grupe me nga 12 ekipe, të përzgjedhura nga tri vazo të ndryshme. Çdo skuadër do të luajë gjashtë ndeshje kundër gjashtë kundërshtarëve të ndryshëm, dy nga secila vazo, duke ndjekur modelin e ri të garave europiane për klube.
Nga ana tjetër, Liga 2 do të organizohet në mënyrë të ngjashme me Ligën C të Ligës së Kombeve, me tre grupe me nga gjashtë skuadra ose një grup me shtatë ekipe. Fituesit e grupeve në Ligën 1 do të sigurojnë kualifikimin direkt, ndërsa vendet e tjera do të përcaktohen përmes fazës “play-off”, duke u dhënë mundësi edhe skuadrave më të vogla për të synuar kualifikimin.
Sipas planit të UEFA-s, formati i ri pritet të hyjë në fuqi nga sezoni 2028-2029, menjëherë pas përfundimit të “EURO 2028”.

Lini një Përgjigje