Aventura e Erjon Bogdanit te Mantova ka përfunduar më herët nga sa pritej, pavarësisht kontributit të rëndësishëm që ai dha në mbijetesën e skuadrës në Serinë B italiane.
Bogdani iu bashkua klubit në fund të vitit të kaluar në rolin e ndihmësit të drejtorit sportiv Leandro Rinaudo. Dyshja ndërhyri në merkato gjatë muajit janar, duke riformatuar skuadrën dhe duke i dhënë ekipit mundësinë të rikuperonte pikë pas një periudhe të vështirë.
Falë ndryshimeve të bëra dhe rezultateve pozitive në pjesën e dytë të sezonit, Mantova arriti të siguronte qëndrimin në kategori.
Megjithatë, me përfundimin e kampionatit, presidenti i klubit ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin si me Rinaudon, ashtu edhe me Bogdanin, duke zgjedhur një tjetër drejtim për strukturën administrative të klubit.
Pas largimit nga Mantova, Bogdani pritet të nisë një tjetër eksperiencë në futbollin italian, ku vlerësohet për punën e bërë në aspektin drejtues.
Ish-futbollisti shqiptar vijon të jetë aktiv në ambientin e futbollit. Një ditë më parë ai ishte i pranishëm në stadium për të ndjekur ndeshjen e “play-off”-it të Serisë B mes Monzës dhe Juve Stabias, njësoj si Igli Tare.
Duke parë rezultatet e arritura te Mantova, pritet që Bogdani dhe Rinaudo të gjejnë shpejt një sistemim të ri në futbollin italian.
Lini një Përgjigje