
Përfundojnë ndeshjet e luajtura në orën 21:00 të raundit të parafundit në Champions League. Milani ka mposhtur me rezultatin minimal 1-0 Xhironën dhe ka siguruar kualifikimin për në raundin tjetër. Skuadrës së drejtuar nga Serxho Konseisao i mjaftoi goli i Leaos në minutën e 37 për t’i dhënë fitoren “Djallit”.
Surpriza ka ardhur nga Holanda ku Fejnordi ka mposhtur me rezultatin 2-0 Bajernin e Mynihut. Santiago Gimenez në minutat 21 dhe 45+1 i dhanë fitoren holandezëve dhe 3 pikët që i mbajnë në garë për kualifikimin.
Rezultat tjetër surprizë ishte ai i ndeshjes së luajtur në Francë mes PSG dhe Mançester Sitit. Anglezët shpërdoruan avantazhin e dyfishtë pas golave të realizuar nga Grilish në minutën e 50 dhe Haland 3 minuta më vonë.
Në minutën e 56, parizienët ngushtuan shifrat me Dembele, 4 minuta më vonë Barkola barazoi rezultatin, ndërsa në minutën e 78, Zhoao Neves i dha suksesin e shumëpritur kampionëve të Francës.
Ndërsa në mintën e 90+3, Gonçalo Romos kompletoi "pokerin" për PSG-në.
Tashmë, skuadra e Pep Guardiolës është me një këmbë jashtë kompeticionit më të rëndësishëm për klube. Vetëm një fitore në ndeshjen e fundit kundër Bryzhit i mban ata në garë për kualifikimin në raundin tjetër.
Reali i Madridit ka mposhtur “manita” Salcburgun. Dopieta e Rodrigos në minutat 23, 34, goli i Mbape në minutën e 48 si dhe dopieta e Vinicius në minutat 55 dhe 77 bënë që “Galaktikët” të merrnin fitoren e merituar në “Santiago Bernabeu”.
Në minutën e 85, Bidstrup ngushtoi shifrat për Salcburgun, por goli i tij vlejti vetëm për statistikë.
Arsenali ka bërë detyrën në shtëpi përballë Dinamos së Zagrenit të Arbër Hoxhës, duke fituar me rezultatin e pastër 3-0 si dhe duke siguruar kualifikimin në raundin tjetër. Deklan Rajs zhbllokoi ndeshjen në minutën e dytë të takimit, ndërsa Kai Haverc vulosi fitoren e “Topçinjve”.
Martin Odegard në minutën e 90+1 realizoi golin e tretë për ekipin e Artetës.
Kristjan Asllani triumfon përballë Qazim Laçit. Interi ka mposhtur me rezultatin minimal 1-0 Spartën e Pragës në Çeki, duke siguruar kualifikimin në raundit tjetër të Ligës së Kampioneve. Heroi i zikaltërve ishte Lautaro Martinez me golin e realizuar në minutën e 12.
Sëlltiku ka mposhtu minimalisht Jang Bojsin. Me këtë fitore, skocezët kualifikohen në turin tjetër.
Lini një Përgjigje