TAGS-AT E JAVËS

Sport20 Maj 2023, 18:32

Junajtid i falet supergolit të Kasemiros, Liverpuli jashtë Champions League, edhe Totenhemi mbetet pa pjesëmarrje në Europë

Shkruar nga Pamfleti

Junajtid i falet supergolit të Kasemiros, Liverpuli jashtë Champions

Dy javë përpara fundit të Premier Ligës, Mançester Junajtid është treguar cinik ndaj Burnmuthit në transfertë, duke triumfuar 0-1. Goli i vetëm i takimit mban firmën e Kasemiros në minutën e nëntë. Skuadra e Ten Hag renditet në vendin e katërt me 69 pikë, po aq sa ka Njukasëlli i vendit të 3.

Ndërkohë, Liverpuli luajti sot ndeshjen e parafundit, me “The Reds” që nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 në “Anfield Road” ndaj Aston Vilës, duke mbetur zyrtarisht jashtë Champions League.

Konate shkaktoi penallti pas një ndërhyerje ndaj Uotkins në minutën e 22, por për fat të mirë nuk rezultoi fatale për skuadrën e Klop, pasi po Uotkins gaboi nga pika e bardhë. Gjithsesi, mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 27 fale Jakob Ramsej.

Vendasit barazuan me Gakpo në fillimin e pjesës së dytë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Në shtesë, Firmino vendosi përfundimisht ekuilibrat. Braziliani do të largohet në fund të sezonit nga të kuqtë.

Liverpuli renditet në vendin e pestë me 66 pikë, ndërsa Aston Vila në vendin e 7 me 58 pikë.

Kujtojmë që edhe Totenhemi pësoi një humbje nga Brentfordi, duke shuar kështu shpresat për një vend në Ligën e Konferencës sezonin e ardhshëm. “Spërsat” arritën të kalonin në avantazh në minutën e 8 me Kejn, por miqtë në pjesën e dytë arritën të përmbysnin gjithçka. Totenhemi aktualisht ndodhet në vendin e 8 në kuotën e 57 pikëve, 1 më pak se Aston Villa i vendit të 7.

liverpul mançester junajtid totenhem premier liga

Lini një Përgjigje