Kombëtarja shqiptare e Socca-s vazhdon paraqitjen mbresëlënëse në Kampionatin Europian që po zhvillohet në “Shtëpinë e Futbollit”, duke siguruar një vend në çerekfinale pas fitores dramatike ndaj Francës.
Ndeshja e vlefshme për raundin e 1/8-ave ishte e mbushur me emocione dhe ritëm të lartë. Franca e mbylli pjesën e parë në avantazh me dy gola, duke vënë në vështirësi përfaqësuesen kuqezi.
Megjithatë, Shqipëria reagoi fuqishëm në pjesën e dytë. Në minutën 20+1, Oltion Rrapa ngushtoi rezultatin dhe riktheu shpresat për ekipin shqiptar. Vetëm pak minuta më vonë, në minutën e 23-të, Xhuljano Reçi realizoi golin e barazimit 2-2, duke ndezur atmosferën në tribunat e “Shtëpisë së Futbollit”.
Kualifikimi u vendos nga goditjet e penalltive, ku kuqezinjtë u treguan më të saktë dhe më të qetë psikologjikisht. Mehmet Hoxha shënoi një nga penalltitë vendimtare, ndërsa heroi i mbrëmjes ishte portieri Berisha, i cili priti dy goditje nga pika e bardhë dhe udhëhoqi Shqipërinë drejt çerekfinales.
Pas këtij suksesi, Kombëtarja shqiptare do të përballet me Serbinë në çerekfinale. Takimi do të zhvillohet sot në orën 18:45, në “Shtëpinë e Futbollit”.
Mbështetja e tifozëve shqiptarë pritet të jetë një faktor i rëndësishëm për kuqezinjtë në këtë sfidë vendimtare për një vend në gjysmëfinale.
Lini një Përgjigje