Rei Manaj duket se është pranë mbylljes së aventurës së tij me Sivasporin, vetëm pak muaj pasi vendosi të rikthehej te klubi turk duke hequr dorë nga kontrata e majme me Al Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare kishte surprizuar më herët me vendimin për të ndërprerë marrëveshjen me klubin arab, duke u shprehur përmes mesazheve drejtuar tifozëve se kishte sakrifikuar miliona euro për t’u rikthyer në Turqi.
Pas rikthimit, Manaj po rikuperonte gradualisht formën e tij më të mirë, por një tjetër dëmtim e detyroi të mbyllte para kohe sezonin. Mungesa e tij ndikoi edhe te Sivaspori, që nuk arriti të siguronte një vend në “play-off” për ngjitjen në Superligën turke.
Sipas burimeve pranë klubit, situata ka marrë një tjetër kthesë pas dorëheqjes së presidentit dhe bordit drejtues të Sivasporit. Pas këtij zhvillimi, edhe Manaj ka vendosur të largohet dhe nuk pritet të jetë pjesë e skuadrës në sezonin e ardhshëm.
Sulmuesi shqiptar nuk ka ndërmend të luajë në kategorinë e dytë turke dhe ka nisur kontaktet për të gjetur një ekip të ri. Interes për të raportohet se kanë shfaqur disa klube të Superligës turke.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse kontrata e Manajt i lejon një largim të lirë në këto kushte, apo nëse drejtuesit e rinj të Sivasporit do të vendosin pengesa për transferimin e tij.
Lini një Përgjigje