Kombëtarja e Republikës Demokratike të Kongos, e kualifikuar për Kupën e Botës që do të zhvillohet këtë verë, do t’i nënshtrohet një izolimi 21-ditor përpara se të lejohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Masa është vendosur për shkak të shpërthimit të epidemisë së Ebola-s në vendin afrikan.
Lajmi është konfirmuar nga drejtori ekzekutiv i task-forcës së Shtëpisë së Bardhë për Botërorin, Endrju Xhuliani, i cili në një deklaratë për “ESPN” bëri të ditur se autoritetet amerikane kanë njoftuar FIFA-n, Federatën Kongoleze të Futbollit dhe qeverinë në Kinshasa për detyrimin e izolimit.
Sipas Xhiulianit, kombëtarja duhet të qendrojë e izoluar në Belgjikë, aty ku skuadra po zhvillon aktualisht fazën përgatitore.
“Ne kemi qenë shumë të qartë me Kongon. Ata duhet të ruajnë integritetin e izolimit për 21 ditë përpara se të mbërrijnë në Houston më 11 qershor”, deklaroi ai.
“Qeverisë kongoleze i është bërë e qartë se masat e sigurisë duhet të respektohen plotësisht, përndryshe skuadra rrezikon të mos udhëtojë drejt SHBA-së. Duam të sigurohemi që asgjë e rrezikshme të mos hyjë apo t’i afrohet kufijve tanë”, shtoi Xhiuliani.
Përfaqësuesja kongoleze do të marrë pjesë për herë të dytë në një Kampionat Botëror. Pjesëmarrja e parë daton në vitin 1974, kur vendi garonte me emrin Zaire.
Kongo pritet të vendoset në Houston gjatë turneut dhe ndeshjen e parë do ta zhvillojë më 17 qershor përballë Portugalisë.
Lini një Përgjigje