Drejtori sportiv i Vllaznisë, Vioresin Sinani, ka folur në prag të ndeshjes ndaj Egnatias në fazën “Final Four”, duke e cilësuar sfidën si mjaft të vështirë, por duke shprehur njëkohësisht besim te potenciali i skuadrës shkodrane.
Sinani vlerësoi kundërshtarin, duke theksuar cilësinë dhe nivelin e lartë të ekipit rrogozhinas.
“Është sfidë e vështirë. Egnatia është një ekip që meriton respekt, e njohim për lojën dhe nivelin që ka. Është një ekip me shumë emra cilësorë”, deklaroi ai.
Një tjetër çështje e prekur nga drejtori sportiv ishte edhe mungesa e disa lojtarëve për ndeshjen e së shtunës. Sipas Sinanit, Vllaznia nuk do të ketë në dispozicion Kastratin dhe Bismarkun për shkak dëmtimi, ndërsa Bajrami mungon për arsye kartonësh.
“Kastrati dhe Bismark mungojnë për arsye dëmtimi, ndërsa Bajrami për kartona. Djemtë që do t’i zëvendësojnë jam i bindur se do të japin maksimumin dhe do të luftojnë me 100% të tyre”, u shpreh ai.
Sinani theksoi se në këtë fazë të kampionatit nuk ka ekipe të lehta, ndërsa kërkoi që fokusi i skuadrës të jetë vetëm te ndeshja ndaj Egnatias, pa bërë llogari për sfidat e ardhshme.
“Në Final Four janë të gjitha skuadrat e forta dhe me nivel shumë të mirë. Megjithatë, Egnatia është një ekip mjaft i fortë dhe meriton respekt. Dëgjoj shumë njerëz duke bërë llogari, por ne kemi diskutuar me çunat dhe stafin se kjo është ndeshja më e rëndësishme për momentin. Pastaj mund të mendojmë për të tjerat. Llogaritë nuk na pëlqejnë”, tha Sinani.
Në përfundim, drejtori sportiv i Vllaznisë ritheksoi objektivin e skuadrës për të ruajtur kreun dhe për të luftuar deri në fund për titullin kampion.
“Jemi në vend të parë dhe kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të kampionatit. Do të bëjmë çmos për ta mbajtur këtë vend. E kam thënë edhe më parë që do të luftojmë deri në fund për titullin dhe po e bëjmë këtë. Kemi nevojë për mbështetjen e të gjithëve”, përfundoi Sinani.
Lini një Përgjigje