Bankat kryesore spanjolle kanë refuzuar të mbështesin kandidaturën e Enrike Rikelmes për postin e presidentit të Realit të Madridit, duke i vështirësuar rrugën biznesmenit nga Alikante në garën kundër Florentino Pérezit.
Sipas burimeve pranë procesit, Rikelme nuk ka arritur të sigurojë garancinë bankare prej 187 milionë eurosh nga “Banco Santander” dhe “BBVA”. Të dy institucionet financiare nuk kanë pranuar të komentojnë lidhur me këtë çështje.
Rregullorja zgjedhore e Realit të Madridit parashikon kushte të rrepta për kandidatët që synojnë presidencën e klubit. Një nga kriteret kryesore është sigurimi i një garancie bankare të lëshuar nga një institucion i regjistruar pranë Bankës së Spanjës. Garancia duhet të mbulojë të paktën 15% të buxhetit total të klubit, i cili aktualisht arrin në 1.248 miliardë euro, dhe duhet të mbështetet ekskluzivisht në pasurinë personale të kandidatit.
Megjithatë, Enrike Rikelme nuk ka hequr dorë nga kandidatura. Sipas raportimeve, ai ka arritur të sigurojë mbështetjen e bankës kanadeze “Scotiabank”, një institucion financiar me kapitalizim në bursë prej rreth 83 miliardë eurosh, si dhe të një banke nga Andorra.
Biznesmeni spanjoll është paraqitur te noteri të premten e kaluar për të finalizuar dokumentacionin e kandidaturës së tij, e cila pritet të zyrtarizohet të shtunën.
Për të përmbushur kërkesat statutore të klubit madrilen, Rikelme ka qenë i detyruar të dëshmojë një pasuri personale prej afro 200 milionë eurosh, kusht i domosdoshëm për regjistrimin zyrtar në garën presidenciale të Realit të Madridit.
Lini një Përgjigje