Një situatë tensioni ka shpërthyer brenda kombëtares franceze vetëm pak muaj përpara Kupës së Botës 2026. Federata Franceze e Futbollit (FFF) u ka kërkuar Kilian Mbape dhe pjesës tjetër të lojtarëve të pranojnë uljen e bonuseve financiare që u ishin premtuar më herët.
Sipas marrëveshjeve aktuale, çdo futbollist i kombëtares franceze përfiton mbi 21 mijë euro për ndeshje nga të drejtat e imazhit dhe aktivitetet promocionale të sponsorëve. Pas fitores 4-0 ndaj Ukrainës dhe sigurimit të kualifikimit, ky bonus u rrit në rreth 42 mijë euro për lojtar, pas kërkesës së kapitenit Kilian Mbape dhe me miratimin e presidentit të FFF-së, Filip Dialo.
Megjithatë, vetëm katër muaj më vonë, Federata ka ndryshuar kurs dhe tashmë kërkon reduktimin e këtyre përfitimeve. Ky vendim ka surprizuar lojtarët, të cilët e konsiderojnë të paqartë ndryshimin e menjëhershëm të politikës financiare.
FFF argumenton se masa lidhet me nevojën për të kursyer dhe për të balancuar buxhetin në të gjitha ekipet kombëtare. Por ky shpjegim shihet me skepticizëm, pasi kombëtarja franceze vazhdon të gjenerojë të ardhura shumë të larta, veçanërisht nga kontrata me sponsorin kryesor “Nike”, e cila kap vlerën mbi 100 milionë euro në vit.
Deri tani, palët nuk kanë arritur një marrëveshje, ndërsa diskutimet pritet të vazhdojnë gjatë grumbullimit të ardhshëm të kombëtares franceze më 28 maj në Clairefontaine.
Lini një Përgjigje