Kur trajneri Karlo Ançeloti shpalli listën e Kombëtares së Brazilit dhe përmendi emrin e Veverton, në shtëpinë e portierit brazilian shpërtheu festa. Emocionet e forta rezultuan të tepërta për 37-vjeçarin, i cili humbi ndjenjat për pak çaste gjatë festimeve me familjarët dhe miqtë.
Ngjarja u regjistrua nga kamerat e sigurisë në banesën e tij dhe më pas u publikua në rrjetet sociale nga vetë lojtari, i cili e trajtoi episodin me humor.
Në videon e shpërndarë, shihet momenti kur të afërmit e Veverton festojnë me britma dhe përqafime pasi mësojnë lajmin për grumbullimin e tij me “Seleçaon”. Portieri, i cili do të jetë zgjedhja e tretë e Ançelotit pas Alison Beker dhe Ederson, përfshihet në festë mes përqafimeve dhe kërcimeve në divan.
Pak sekonda më vonë, Veverton bie me fytyrë në divan dhe më pas rrëshqiti në dysheme, ndërsa të pranishmit fillimisht nuk e kuptuan se ai kishte humbur ndjenjat, duke vazhduar festën pranë tij.
Sipas mediave braziliane, portieri u rikuperua menjëherë pas ndihmës së familjarëve dhe nuk pati nevojë për trajtim mjekësor apo transport në spital.
Më vonë, në një konferencë për shtyp, Veverton komentoi episodin me batutë:
“Besoj se pata një humbje të vogël ndjenjash”, deklaroi ai duke buzëqeshur.
Teksa publikoi videon në rrjetet sociale, portieri shtoi edhe një përshkrim ironik:
“Nga kamerat e shtëpisë sime për ju… shijojeni me masë, sepse kjo video ka shumë nivele.”
Veverton nuk është një emër i ri për Kombëtaren braziliane. Ai ka qenë pjesë e Brazilit edhe në të kaluarën, duke fituar medaljen e artë olimpike në “Rio 2016”, si dhe medaljen e argjendtë në Kupën e Amerikës në vitin 2021.
Grumbullimi i ri nën drejtimin e Karlo Ançelotit përfaqëson një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e portierit, i cili synon të japë kontributin e tij si në stërvitje, ashtu edhe në rast se do të thirret në fushë gjatë kompeticionit.
Lini një Përgjigje