Federata Shqiptare e Futbollit organizoi këtë të premte një ceremoni përshëndetëse për ish-stafin teknik të Kombëtares shqiptare, pas largimit të trajnerit Silvinjo dhe bashkëpunëtorëve të tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival. Në vend të tyre, drejtimin e kuqezinjve do ta marrë trajneri italian Rolando Maran me stafin e ri teknik.
Në një atmosferë emocionale, Silvinjo falënderoi stafin dhe punonjësit e Federatës për bashkëpunimin gjatë tre viteve e gjysmë në krye të ekipit kombëtar, duke vlerësuar sidomos marrëdhëniet njerëzore të krijuara gjatë kësaj periudhe.
“Kur dikush e merr përsipër një punë, e merr përsipër që ta bëjë në 100% të saj. Ka raste që puna shkon mirë, ka raste që nuk shkon mirë. Kështu është futbolli. Tani flasim për 3 vite e gjysmë. Jam absolutisht i lumtur për atë që kemi bërë”, u shpreh Silvinjo.
Tekniku brazilian theksoi se përtej rezultateve sportive, do të mbajë mend raportin me njerëzit që punojnë në FSHF.
“Ne kemi thënë që nga dita e parë se ‘Ne jemi një’. Nuk do doja të flisja për “EURO 2024” apo kualifikueset e Botërorit. Do të doja të flisja për më shumë se 100 persona që jetojnë dhe punojnë për Federatën. Kam pirë kafe me secilin prej jush dhe kam dëgjuar secilin prej jush. Përtej gjithçkaje që kemi parë këtu, sidomos raporti human, këtë nuk do ta harroj kurrë”, deklaroi ai.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Doriva, i cili u shpreh mirënjohës për eksperiencën e përjetuar në Shqipëri.
“Ka qenë një kënaqësi e madhe të isha pjesë e këtij vendi dhe e kësaj Federate. Të takoja secilin prej jush çdo ditë më bënte të lumtur. Kjo eksperiencë do të mbetet gjithmonë në zemrën time”, tha ai.
Ndërkohë, ish-futbollisti i njohur argjentinas Pablo Zabaleta solli edhe momente humori gjatë fjalës së tij, duke i kërkuar presidentit Armand Duka një biletë për ndeshjet e Kombëtares.
“Çdo organizatë është e përbërë nga njerëzit. Përkushtimi dhe pasioni pas suksesit të ekipit jeni të gjithë ju. Kam qenë shumë me fat që kam qenë pjesë e kësaj Federate”, u shpreh fillimisht Zabaleta.
Më pas, ai iu drejtua me humor kreut të FSHF-së:
“President, vetëm një biletë për mua për çdo ndeshje, të paktën një biletë. Nuk dua tre apo katër. Më dërgo një biletë në cilëndo pjesë të stadiumit, pa problem”, tha ai mes të qeshurave.
Në fund, Zabaleta u shpreh i bindur se ai dhe kolegët e tij do të rikthehen sërish në Shqipëri.
“Jam i sigurt se kur kalon një periudhë kaq të mirë në një vend, gjithmonë do të rikthehesh. Unë, Silvio dhe Dori do të vijmë sërish për të pirë një kafe dhe për të takuar secilin prej jush”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje