E ardhmja e Igli Tares te Milani duket se nuk është më e sigurt sa mendohej javët e fundit. Sipas të përditshmes italiane “Tuttosport”, në ambientin kuqezi po përgatiten ndryshime të rëndësishme në strukturat drejtuese të klubit, të cilat mund të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në pozicionin e drejtorit shqiptar.
Presidenti Xherri Kardinale raportohet se ka nisur një proces ristrukturimi në nivelet më të larta të drejtimit, ku mes emrave të përfshirë është edhe administratori dhe shefi ekzekutiv Xhiorxhio Furlani. Ende nuk është e qartë nëse largimi i tij do të vijë përmes dorëheqjes apo me vendim të vetë pronarit të klubit.
Ky zhvillim mund të ndryshojë edhe situatën e Igli Tares, i cili deri pak ditë më parë konsiderohej pranë largimit nga Milani pas vetëm një sezoni në klub. Sipas raportimeve nga Italia, shqiptari gëzon mbështetjen e trajnerit Masimiliano Allegri, por edhe të portierit Majk Menjo, të cilët janë shprehur në favor të vazhdimit të bashkëpunimit me të.
Në konferencën për shtyp para sfidës ndaj Kaljarit, Alegri u pyet mbi zërat për largimin e Furlanit dhe për të ardhmen e Tares, por zgjodhi të mos japë detaje konkrete mbi çështjet drejtuese të klubit.
“Këto janë dinamika të klubit. Unë duhet të mendoj të bëj trajnerin, gjë që nuk është e thjeshtë. Për dinamikat e klubit janë pronarët që duhet të mendojnë për të bërë atë që është më e mira për Milanin.
A kërkova që të qendrojë Tare? Mbi dinamikat e klubit nuk them asgjë, unë bëj trajnerin. Të flasësh për Taren dhe këdo tjetër nuk vlen për asgjë një ditë para ndeshjes. Nesër në darkë është gjëja më e rëndësishme për të gjithë”, deklaroi Alegri.
Burime pranë klubit vlerësojnë se atmosfera e krijuar nga Tare në kampin kuqezi, si dhe roli i tij në afrimin e disa investimeve të rëndësishme për skuadrën, mund të ndikojnë që drejtuesit e Milanit të rishikojnë vendimin për të ardhmen e tij në fund të sezonit.
Lini një Përgjigje