TAGS-AT E JAVËS

Sport28 Qershor 2023, 20:40

Dominim i kuqezinjve në “Elbasan Arena”, Shqipëria U-17 mposht Maqedoninë e Veriut në miqësoren e dytë (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Dominim i kuqezinjve në “Elbasan Arena”, Shqipëria U-17

Shqipëria U-17 ka zhvilluar miqësoren e dytë ndaj Maqedonisë së Veriut U-17, ndeshje e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena” e që përfundoi me fitoren e kuqezinjve me rezultatin 3-1. Golat u shënuan nga Erigestino Pepnikaj, Tedi Malaj dhe Ergis Arifi.

Trajneri Ardi Behari hodhi në fushë këtë formacion titullar: Leonard Kolgecaj, Kris Gecaj, Erigestino Pepnikaj, Renato Halili, Davide Avdullari, Jetmir Laze, Matia Huqi, Ergis Arifi, Tedi Malaj, Matias Gici, Elio Nderjaku.

Nisja ishte e shpejtë dhe menjëherë Maqedonia e Veriut kaloi në avantazh kur në minutën e pestë mesfushori Admir Latifi kombinoi në hyrje të zonës me Luka Makaloski dhe pasi mori topin në hyrje të zonës goditi me të djathtën, duke mposhtur portierin Leonard Kolgecaj dhe duke shënuar gol.

Tre minuta më vonë Shqipëria iu afrua barazimit me Tedi Malajn, i cili mori një top në zonë shumë afër portës dhe në momentin e fundit u bllokua nga mbrojtja. Pikërisht nga goditja e këndit lind edhe barazimi i Shqipërisë. Erigestino Pepnikaj provoi në tentativën e parë me kokë, teksa mbrojtja e bllokoi, në tentativën e dytë gjuajti me të djathtën, duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke barazuar shifrat në 1-1.

Në minutën e 23 ishte Davide Avdullari që bëri një inkursion mjaft të bukur nga e majta dhe pasi doli i vetëm me portierin goditi më të majtën, por topi përfundoi jashtë shumë afër me shtyllën.

Shqipëria U-17 e mori veten pas startit të ngadaltë dhe në minutën e 30 arriti të gjente golin e avantazhit me Tedi Malajn, i cili mori një top në hyrje të zonës dhe pas një lëvizje të bukur, goditi saktë me një diagonale, duke përmbysur rezultatin në 2-1.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e kuqezinjve, ndërsa pjesa e dytë vijoi me të njëjtin ritëm me Kombëtaren shqiptare me më shumë iniciativë në fazën sulmuese. Në minutën e 50, Oresti Rifa fitoi një goditje dënimi në hyrje të zonës, goditje që e ekzekutoi po vetë. Në vend që të godiste portën, Rifa pasoi në zonë për Ergis Arifin, i cili me të parën gjuajti saktë dhe realizoi golin e tretë për Shqipërinë, me një skemë që rezultoi efikase.

Maqedonia e Veriut provoi në dy raste në minutën e 76 për të ngushtuar shifrat, por pa ia dalë mbanë. Të dy trajnerët bënë disa zëvendësime, duke freskuar forcat në fushë, teksa rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Shqipëria U-17 fiton me rezultatin 3-1, pas një paraqitje shumë të mirë, ndërsa edhe në miqësoren e parë të së hënës barazoi 0-0 me Maqedoninë e Veriut.

shqipëria u17 maqedonia u17 ndeshja miqësore

Lini një Përgjigje