TAGS-AT E JAVËS

Sport 6 Mars 2024, 20:16

“Do të dorëzohem vetëm kur të kem një kuti druri”, legjenda angleze pa shtëpi dhe i varur çdo ditë nga alkooli

Shkruar nga Pamfleti

“Do të dorëzohem vetëm kur të kem një kuti

Pol Gaskoine, i konsideruar nga shumëkush si një nga futbollistët më të mirë anglezë të të gjitha kohërave, hapi zemrën për të folur për të gjitha vuajtjet që e kanë torturuar kohët e fundit. Nga betejat e gjata për të qendruar esëll e deri te fakti se ai jeton në dhomën e miqve të shtëpisë së menaxherit të tij, gjithçka u ripa në një intervistë të sinqertë për “High Performance”.

Gaskoine ka luftuar me problemet e shëndetit mendor dhe varësinë nga alkooli që nga përfundimi i karrierës së tij, por e vërteta është se jeta nuk është rregulluar me kalimin e kohës. Pas një karriere të suksesshme, ish-futbollisti anglez detyrohet të jetojë me agjenten Kati Davies, në bregun jugor të Anglisë dhe tashmë është rikthyer në konsultimet e Alkoolistëve Anonimë.

"Dikur isha i dehur dhe i lumtur. Tani nuk jam më. Jam i dehur, i trishtuar. Nuk dal dhe pi në shtëpi",- tha ish-mesfushori 56-vjeçar, i cili luajti 57 ndeshje për “Tre Luanët”, si dhe ka përhapur aromën e futbollit të tij me skuadra si Njukasëll, Totenhem, Lacio dhe Gllagou Renxhërs.

"Njerëzit e njohin Pol Gaskoinen, por askush nuk e njeh Gazan (pseudonimi i tij). As unë, ndonjëherë. Kam kaluar shumë vite, kur kam këputur ligamentet dhe pastaj kapakun e gjurit, nuk kam luajtur për 4-vite futboll. Do të kisha luajtur 100 ndeshje për kombëtaren. Mundohem të mos ndihem i dëshpëruar, sepse bota tashmë është mjaft e rënduar. Dhe kur jam vërtetë i dëshpëruar, atëherë pi një pije për të gëzuar veten”, thotë ai.

Gaskoine, i cili u fut në Sallën e të Famshëve të Futbollit Anglez në vitin 2002, përpara se të përfundonte karrierën e tij në vitin 2004, ka luftuar një betejë të vështirë që nga varja e këpucëve. Ai tashmë i është nënshtruar rehabilitimit në shtatë raste, duke shpenzuar rreth 6.000 £ (7.000 €) në muaj në një klinikë në Sauthempton gjatë këtyre periudhave. Ai shpenzoi edhe 23 mijë euro për të futur në stomak tableta kundër pijeve.

Beteja kundër alkoolit e ka çuar gjithashtu në një numër arrestimesh në gjendje të dehur dhe të çrregullt dhe disa shkelje të drejtimit të automjetit në gjendje të dehur. Ish-ylli pranon se mezi shikon më futboll për shkak të mungesës së tij. "Nëse dua që dita të mos jetë e keqe, shkoj në pijetore. Nëse dua të jetë një ditë e mirë, marr bastunin tim dhe shkoj të peshkoj. Kur shikoj telefonin tim dhe shikoj 30 mesazhe apo telefonata të humbura, e di që jam në telashe”.

Gaskoine pranon se nuk ka marrë pjesë aq shpesh sa duhet në konsultimet e Alkoolistëve Anonimë, megjithatë thotë se është përpjekur të zbatojë një strategji tjetër: të pijë kafe pa pushim. Për t'ju dhënë një ide, Gaskoine pi gjashtë kafe deri në orën 10 të mëngjesit dhe përdor rreth 15 kapsula 'Mochaccino', një përzierje kafeje dhe kakao, çdo ditë.

"Unë mbaj shumë gjëra që duhet t'i ndaj, por kam frikë t'i ndaj me njerëzit. Nuk mendoj se do të rritem ndonjëherë, për të cilat nuk më intereson, e dini? Jam krenar për atë që u kam dhënë njerëzve. Unë kam dhënë gati një milion paund për 10 institucione të ndryshme bamirësie dhe i kam porositur për të mos thënë asgjë. Nuk kam hequr dorë kurrë. Do të dorëzohem vetëm kur të jem në një kuti druri, unë do të vazhdoj të luftoj”, thotë ai.

pol gaskoine ish-futbollisti anglez

Lini një Përgjigje