TAGS-AT E JAVËS

Kosova 6 Mars 2026, 09:04

Zgjedhja e presidentit nga populli, Vjosa Osmani: Amendamentet nuk do të ndikonin në pasardhësin tim

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhja e presidentit nga populli, Vjosa Osmani: Amendamentet nuk do të
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka sqaruar se amendamentet e propozuara për zgjedhjen e presidentit nga populli nuk do të kishin asnjë ndikim në zgjedhjen e pasardhësit të saj.

Sipas saj, edhe nëse këto amendamente do të miratoheshin në seancën e së enjtes, ato nuk do të ndryshonin procesin aktual për zgjedhjen e presidentit, por do të hapnin mundësinë që zgjedhjet presidenciale të zhvilloheshin drejtpërdrejt nga populli vetëm pas pesë vitesh.

Presidentja sqaroi se vetë amendamentet parashikojnë që procedura për zgjedhjen e presidentit të nisë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Për këtë arsye, sipas saj, edhe nëse do të miratoheshin, ato nuk do të ndryshonin asgjë për zgjedhjen e pasardhësit të saj.

Ajo shtoi gjithashtu se amendamentet nuk janë hartuar prej saj, por nga Komisioni Kushtetues i vitit 2011. Sipas presidentes, çdo ndryshim i mundshëm në këto amendamente do të kërkonte rikthimin e tyre për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“Dua të ndalem gjithashtu te një debat i djeshëm. E kuptoj shumë mirë që kjo ka ngritur pyetje. Në një klimë politike të tensionuar, çdo veprim shihet me dyshim. Dua të jem shumë e qartë, këto amendamente s’do të kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që duhej të zgjidhej deri mbrëmë. Vetë amendamentet parashohin që procedura për zgjedhjen e presidentit duhet të fillojë 6 muaj para përfundimit të presidentit aktual. Edhe sikur këto amendamente të miratoheshin mbrëmë, s’do të ndryshonin asgjë për zgjedhjen e pasardhësit tim. Pas 5 vitesh do të krijohej mundësia për zgjedhje të drejtpërdrejtë nga populli dhe jo tani, s’ka pasur fare të bëjë me mndësinë që unë të rikandidoj për zgjedhje të reja tani. Këto amendamente s’janë hartuar nga unë, janë hartuar nga komisioni kushtetues i vitit 2011. Çdo ndryshim do të nënkuptonte që të riktheheshin përsëri në Gjykatën Kushtetuese”, tha Osmani.

Lini një Përgjigje