
Partitë politike në Kosovë nuk kanë arritur konsensusin për emrin e Presidentit të ri, duke futur vendin në një territor të panjohur...
Kosova mesa duket nuk po gjen dot një rrugë për të dalë nga krizat. Partitë politike në Kosovë nuk kanë arritur konsensusin për emrin e Presidentit të ri, duke futur vendin në një territor të panjohur dhe duke rrezikuar sërish zgjedhje të parakohshme.
Në seancën e thirrur sot në orën 22:00 Lëvizja Vetëvendosje paraqiti dy kandidatura për president, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku. Partitë opozitare nuk paraqitën asnjë emër si kandidaturë për president.
Në nisje të seancës ishin prezent vetëm 64 deputetë, ndërkohë që pas thirrjes së kryeparlamentares Albulena Haxhia ndaj deputetëve për t’u bërë pjesë e seancës, prezenca shkoi në 65 deputetë. Të gjithë deputetët e pranishëm ishin pjesë e qeverisë, ndërkohë që opozita vendosi bojkotin total të seancës.

Numri i deputetëve të pranishëm ishte shumë larg kuorumit të nevojshëm prej 80 deputetësh të pranishëm në sallën e Kuvendit për të vijuar më pas me votimin e kandidatëve. Pavarësisht kësaj, seanca vijoi me prezantimin e dy kandidatëve.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur “monopartiake” seancën e thirrur për të votuar kandidatët për postin e presidentit, duke thënë se kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, tregojnë se nuk ka gatishmëri për bashkëpunim. Ai insistoi se tani LDK-ja pret zgjedhje të parakohshme, duke thënë se pret që presidentja aktuale, Vjosa Osmani, të nënshkruajë dekret për shpërndarje të Kuvendit, qysh në mesnatë.
“Ka qenë kundërshtim që e kemi thënë vazhdimisht edhe publikisht që kandidati s’duhet të ketë librezë partiake. Të dy kandidatët janë pjesë e LVV-së, kështu nuk arrihet konsensusi. Kushtetuta është e qartë. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Abdixhiku, gjatë konferencës jashtë sallës së Kuvendit.

Pas verifikimit të figurës së dy kandidatëve të LVV-së, kryetarja e Kuvendit kaloi emrat e tyre për votim, por për shkak të mungesës së Kuorimit prej 80 deputetësh në dy raundet e para, nuk mundet të vazhdohej me votimin, kështu që ajo ndërpreu seancën deri në përmbushje të kushteve.
Vlen të theksohet se presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i skadon mandati pesëvjeçar më 4 prill dhe Kuvendi duhet të kishte votuar presidentin e ri deri sonte në mesnatë. Në këto kushte vendi futet në territor të pashkelur dhe rrezikojnë të shkojnë sërish në zgjedhje./Pamfleti
Lini një Përgjigje