
Deputetët do të mblidhen në Kuvend sot për të votuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani sa i përket zgjedhjes së presidentit...
Komisioni për Legjislacion ka miratuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Tani çështja ka avancuar dhe ndryshimet kushtetuese do të shqyrtohen në seancë plenare. Ndryshimet në Komision u miratuan me 6 vota pro. Dy deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës votuan kundër.
Deputetët do të mblidhen në Kuvend sot për të votuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani sa i përket zgjedhjes së presidentit. Në faqen e Kuvendit është konfirmuar se seanca e jashtëzakonshme plenare është planifikuar të nisë në orën 20:00.
Amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani dhe të miratuara në Komisionin Parlamentar për Legjislacion parashohin të ndryshojnë mënyrën se si zgjidhet presidenti i Kosovës. Këto ndryshime parashohin të ndryshojnë në tërësi Nenin 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Kosovës.
Amendamentet parashohin që presidenti i Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, përmes votimit, dhe që zgjedhjet presidenciale të shpallen nga kryetari i Kuvendit, jo më vonë se 6 muaj para se të përfundojë mandati i presidentit aktual.
Sipas amendamenteve, nëse asnjëri nga kandidatët në raundin e parë të garës zgjedhore nuk arrin të marrë shumicë absolute prej më shumë se 50 për qind të votave të popullit, mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve midis dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave herën e parë dhe kandidati që merr më së shumti vota në raundin e dytë zgjidhet president i Republikës së Kosovës.
Po ashtu, parashihet që të shtohet një nen i ri, i cili mundëson që mandati i presidentit aktual, që është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, të vazhdojë derisa presidenti i ri të zgjidhet dhe të bëjë betimin. Amendamentet parashohin po ashtu mundësinë që të garojnë në zgjedhje presidenciale edhe ish-presidentët që kanë shërbyer para se të bëheshin këto ndryshime.
Presidentin e zgjedhur nga populli nuk mund ta shkarkojë Kuvendi, por organi ligjvënës mund ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese peticionin për shkarkimin e tij, sipas amendamenteve.
Ky propozim i ardhur nga Osmani erdhi pasi takimet ndërmjet liderëve politikë, duke përfshirë kryeministrin Albin Kurti me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dështuan të sigurojnë konsensus.
Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i skadon mandati pesëvjeçar më 4 prill, por Kuvendi duhet të votojë për presidentin e ri deri sonte në mesnatë. Sipas Kushtetutës dhe procedurave parlamentare, nëse dështon procesi i zgjedhjes së presidentit në tri raunde votimi në Kuvend, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Lini një Përgjigje