TAGS-AT E JAVËS

Kosova 5 Mars 2026, 18:53

President nga populli/ VV mbështet Osmanin dhe vë në lëvizje Komisionin për Legjislacionin; PDK del kundër

Shkruar nga Pamfleti
President nga populli/ VV mbështet Osmanin dhe vë në lëvizje
Vjosa Omsnai

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka propozuar amendamente kushtetuese që parashikojnë që Presidenti i Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët. Nisma vjen në një moment debatesh dhe bllokadash politike rreth zgjedhjes së presidentit në vend.

Pas kërkesës së Osmanit, Komisioni parlamentar për Legjislacion është ngarkuar për shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese.

Sonte, me fillim në ora 18:00, ne si Komision për Legjislacion, jemi ngarkuar zyrtarisht nga Kryetarja e Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu, me shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani. Këto amendamente synojnë një ndryshim të rëndësishëm në arkitekturën kushtetuese të Republikës: që Presidenti i Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.

Zgjedhja e drejtpërdrejtë nga populli jo vetëm që rrit legjitimitetin demokratik të institucionit të Presidentit, por edhe e çliron sistemin institucional nga bllokadat që mund të krijohen në proceset parlamentare. Si Komision për Legjislacion, do ta trajtojmë këtë çështje me seriozitet të plotë kushtetues dhe me përgjegjësinë që kërkon çdo ndërhyrje në tekstin themelor të Republikës”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar mbështetje për nismën e presidentes Osmani për ndryshimet kushtetuese.

Në një reagim publik, kryetarja e Këshillit të Përgjithshëm të LVV, Arbërie Nagavci, ka bërë thirrje që deputetët të votojnë amendamentet.

Shprehim mbështetjen e plotë për amendamentet kushtetuese të përcjella sot nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja e vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

Votimi i këtyre amendamenteve do të kontribuonte në forcimin e stabilitetit institucional dhe në rritjen e legjitimitetit demokratik të institucionit të Presidentit. Ftoj të gjithë deputetët e partive politike që të mbështesin dhe të votojnë këto amendamente kushtetuese në interes të qytetarëve dhe të demokracisë në vend”, shkruan Nagavci.

Megjithatë, nisma është kundërshtuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Përparim Gruda nga PDK, deklaroi se amendamentet kanë kaluar afatin për shqyrtim.

Hapi i dytë është që amendamentet dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për të shikuar nëse ato amendamente shkelin frymën dhe vlerat mbi të cilat qëndron rendi kushtetues. Pas marrjes së vlerësimit, komisioni përkatës brenda afatit 7 ditësh i paraqet.

Ne jemi pothuajse 14 vite pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kemi tejkaluar çdo afat të shqyrtimit të atyre amendamenteve, prandaj komisioni mendoj unë nuk mundet me shqyrtu amendamentet kushtetuese një dekadë e më shumë mbrapa. Rregullorja e përcakton shprehimisht që shtatë ditë pas vendimit të Kushtetueses.

Kushtetuta e sotme nuk është e njëjtë me kushtetutën e vitit 2011. Ky propozim është i pasafatshëm. E dyta nuk mund t’i sjellë presidentja e Kosovës. Kur amendamentet kalojnë në Gjykatë Kushtetuese siç janë këto thotë se shkojnë në komisionin për legjislacion, pra gjykata i sjellë te ne e jo me nejt në sirtar 14 vite e me u sjell prej presidentes te na. Nuk mund të bëhet debat e ndryshime duke e shkel kushtetutën”, tha ai në hapjen e mbledhjes së komisionit.

Nga ana tjetër, Adnan Rrustemi nga LVV argumentoi se procedura kushtetuese është respektuar dhe se propozimi mund të vazhdojë përpara.

“Esenciale këtu janë tri elemente. E para, pala e autorizuar që mund të propozoj amendamente që në rastin konkret presidentja e Republikës këtë autorizim e ka me kushtetutë. Elementi i dytë esencial, është që amendamentet para se të votohen nga deputetët duhet t’i nënshtrohen vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese për sa i përket pakësimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, gjë që ka ndodhë dhe përmbushet edhe elementi i parë edhe elementi i dytë.

Dhe elementi i tretë është votimi i amendamenteve kushtetuese në procedurë kushtetuese në kuptimin e votës së kërkuar, në procesin e votimit të 2/3 e deputetëve dhe të procesit të votimit të dyfishtë natyrisht. Dy elementet e para procedurale, pavarësisht kohës, janë të përmbushura.

Edhe mbledhja e komisionit për Legjislacion sonte është brenda këtij kuadri…

Sa i përket afatit kohor është krejtësisht afat operativ i Kuvendit të Kosovës i përcaktuar me rregullore dhe nuk është afat përfundimtar dhe as nuk mund të jetë as logjikisht as proceduralisht. Është afat kur më së voni mund të procedohen dhe gjithmonë në funksion të efikasitetit por kjo nuk e ndalon, do të ishte absurde të mendohej…

Ajo çfarë mbetet të ndodh është votimi në seancë pasi që komisioni për Legjislacion i ka dërguar rekomandimin. Ky është rrafshi procedural, kushtetues e juridik”, tha Rrustemi.

osmani president populli

1 Komente

  1. F
    Feti Dema

    Kosova në zgjedhje dy herë për një çik mandat të dytë. Ndryshime kushtetuese në minutën e fundit. Tymi të dalë Presidencën se lëshoi."Nama se s'ma ke". President nga PDK.

    Lini një Përgjigje