Me mijëra qytetarë vijuan edhe të premten protestat në Tiranë, të cilat kanë hyrë në ditën e 13-të, ndërsa kërkohet dorëheqja e Edi Ramës si Kryeministër.
Protestat nisin rreth orës 18:00 me një grumbullim simbolik në sheshin Skënderbej dhe më pas marshojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” duke u ndalur te Kryeministria.
Protestat janë mbështetur nga partitë opozitare, përfshi edhe PD-në, edhe pse nga një pjesë e konsiderueshme e protestuesve hidhen thirrjet “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
Lidhur me atë se çfarë po ndodh me protestat dhe sa ato mund të arrijnë qëllimin e tyre ka reaguar Andi Mustafaj, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së.
Për studion e “ÇdoKënd” në A2Cnn, Mustafaj theksoi se nga protestat e deritanishme kemi të bëjmë me një fitore simbolike.
“Akti më i madh për kombin është të bësh diçka për veten tënde. Në rastin e protestës, kemi njerëz me bindje politike të ndryshme dhe secili ka dalë aty për veten e vet. Dhe kjo është fitore për vendin tonë, është një hap i parë. Njerëzit janë çuar për veten e tyre, është fitore simbolike”, u shpreh Mustafaj.
Sipas tij, jemi në një moment ku masa nuk e ka formësuar ideologjinë e saj politike në mënyrë vepruese.
“Nuk kemi të identifikuar një projekt politik. Si mjet, protesta rrit trysninë ndaj qeverisë për të bërë ndryshime.
Por, aktualisht trysnia është e madhe simbolikisht, por jo në aspektin e detyrimit që ka regjimi i Edi Ramës”, shtoi Mustafaj.
Sipas tij, protestuesit duhet të gjejnë çelësin për ta kthyer në fitore politike.
“Edhe një regjim demokratik ndryshon kur është i detyruar të ndryshojë. Pra, kur trysnia e detyron atë ose nëpërmjet bllokimit të jetës ekonomike që ne e njohim nëpërmjet grevave që bëjnë sindikatat në bllokimin e veprimtarisë ekonomike ose nëpërmjet trysnisë nëpërmjet bllokimit të veprimtarisë së shtetit.
Pra, nëqoftëse shteti i pamundësohet ushtrimi i detyrës së vet atëherë detyrohet të ndryshojë. Në momentin që ne po flasim asnjëra nga këto të dyja nuk është realizuar akoma. Pra, jemi akoma në fushën e simbolikës.
As jeta ekonomike nuk është e bllokuar dhe as ushtrimi i detyrave të shtetit. Dhe kjo është ndoshta çelësi më i rëndësishëm për protestuesit të gjejnë mënyrën se si mund ta përkthejnë këtë fitore simbolike më pas në fitore politike, e cila të prodhojë pasoja më afatgjata”, tha Mustafaj.
Keta Mustafajt ja ndien lezetin politikes. I jati Ambasador i Ramizit, Minister i Berishes, dhe ky i biri parazit neper parti politike... Ose shkoni e punoni mjaft u mbajtet me leket tona e thoni budallalleqe neper kamera tv
Po pse o budalla i padobishëm edhe 6 muaj do vërdallosemi me Rama ik Berisha ik