Është zbuluar emri i kandidatit të dytë për postin e Presidentit të Kosovës. Në seancën që do të nsië pas pak pritet që Fatmire Kollçaku të jetë kandidate për presidente.
Kollçaku do të jetë rivale e Glauk Konjufcës në garën për kreun e shtetit.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës ka dështuar seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës e thirrur për votimin e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashikonin që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.
Shkak për dështimin e seancës u bë mungesa e kuorumit, pasi çdo ndryshim kushtetues kërkon miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë edhe dy të tretat e deputetëve nga komunitetet. Në seancë nuk ishin të pranishëm 9 deputetët e Listës Serbe.
Në sallë ishin gjithsej 93 deputetë, ndërsa në këto kushte kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ndërpreu seancën.
“Nuk janë plotësuar kushtet... do ta ndërpresim seancën këtu”, deklaroi ajo.
Gjatë debatit në seancë, partitë shqiptare të pranishme u shprehën në mbështetje të amendamenteve, ndërsa partitë opozitare PDK dhe LDK kritikuan mënyrën e shpejtë të procedimit të tyre.
Presidentja Vjosa Osmani njoftoi më herët gjatë ditës se kishte dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nga populli, një propozim që kishte mbetur i papërfunduar që prej vitit 2011.
Komisioni për Legjislacion i kishte miratuar më parë këto amendamente dhe më pas ato u dërguan për votim në seancë plenare.
Nisma e Osmanit erdhi në një moment kur ajo po hyn në muajin e fundit të mandatit presidencial, ndërsa partia në pushtet nuk arriti t’i sigurojë nënshkrimet për një mandat të ri, duke propozuar në vend të saj Glauk Konjufcën për postin e Presidentit.
Lini një Përgjigje