Mesazhi i një proteste që nuk është kulmi, por gjeneza e një transformimi politik…
Ne shtyhemi përditë të besojmë se ndryshimi domethënës mund të materializohet vetëm pasi të arrihet një konsensus gjithëpërfshirës.
Edhe pse në ditën e 12-të të protestës akoma diskutohet pjesëmarrja, vazhdon të emërohet si "luftë hibride", nominohen organizatorët, madje edhe Kryeministri i ardhshëm, edhe të gjitha këto në thelb bëhën me një qëllim: të na ushqejnë gabimisht idenë se progresi është një garë popullariteti.
Kjo bindje nuk është vetëm empirikisht e pasaktë por, dhe jashtëzakonisht e rrezikshme, pasi na krijon idenë se çdo lëvizje a protestë popullore ka një përfitues të vetëm fundor, organizatorët, të cilët njëkohësisht synojnë të jenë qeveria e re e vendit.
Kjo që po ndodh në sheshet e Shqipërisë nuk është thjesht një protestë: ajo është një deklaratë e fortë, dhe përfundimtare se pragu kritik është tejkaluar. Por çfarë është më kryesorja, protesta nuk është thjesht një shpërthim spontan dhe i pakoordinuar i zemërimit publik. Ajo është një dëshmi e shprehjes së një vizioni të përbashkët, që ka bashkuar një mori njerëzish nga çdo sferë e mundshme e jetës.
Studentë të etur që dëshirojnë një të ardhme më të mirë, mësues, infermierë , emigrantë , punëtorë , fermerë, besimtarë apo aktivistë laikë të përkushtuar, të cilët qëndrojnë tash 12 ditë krah për krah me njëri tjetrin. Për herë të parë në shesh, shqiptarët nuk janë të bashkuar nga përkatësia e ngushtë partiake apo identiteti specifik por, nga një besim themelor dhe i palëkundur se: "ne nuk do të sundohemi. Ne nuk mund të pranojmë keqqeverisjen. Ky vend, kjo tokë i përket pa mëdyshje shqiptarëve".
Pas çdo lëvizjeje të rëndësishme shoqërore, do të ketë gjithmonë nga ata që përpiqen të minimizojnë ndikimin e saj, të shpërfillin rëndësinë e saj. Nga ata që pohojnë se protesta është thjesht një devijim i përkohshëm, që së shpejti do të zbehet në errësirë; nga ata do të pretendojnë se mungon lidershipi fundor ose një mesazh i qartë dhe konciz.
Ndërkohë që e vërteta është se kjo protestë është një moment monumental. Ajo ka tejkaluar, edhe ka zvogëluar vetvetiu rëndësinë e çdo lajmi tjetër duke filluar që nga ato që vijnë nga Departamenti i Shtetit e deri tek ato që prisnim nga SPAK-u, si ujin e pakët.
E pra, kjo protestë nuk është kulmi, por pa mëdyshje është gjeneza e një ndryshimi rrënjësor në kulturën politike të këtij vendi.
Ndaj puna më kritike sot është kultivimi i vazhdueshëm i besimit se sigurimi i llogaridhënies , trasparencës, mirëqeverisjes apo i respektit ndaj pronës edhe të mirës publike është detyra që kemi ndaj njëri tjetrit edhe fëmijëve tanë. Askush nuk do ta përmbushë këtë detyrim për ne. Ndaj rezultati më i mirëpritur i kësaj proteste nuk është thjesht krijimi i grupimeve të reja politike, por se na ka dhënë një kuptim më të thellë dhe të qëndrueshëm të faktit se sistemi shtypës me të cilin përballemi nuk është i pamposhtur.
Ai në thelb ka mbijetuar nga pajtueshmëria jonë e e heshtur edhe e vazhdueshme. Nëse e shprehim papajtueshmërinë tonë në mënyrë sistematike dhe strategjike, çdo sistem edhe çdo autokrat që e drejton atë, edhe pse në dukje i pathyeshëm, do të lëkundet, do të përkulet dhe në fund do të shkërmoqet në mënyrë të pashmangshme.
Për ata që aktualisht banojnë në dhomat e praruara të pushtetit, kjo protestë ka një mesazh të qartë dhe të pakundërshtueshëm: "pavarësisht se kë vendosni të na numërojë, Zeqinenë që nuk njeh numrat apo Zaloshnjën ekspertin e numrave që merren me sondazhet tuaja fituese, ne nuk jemi një element periferik, që shpërfillet ose margjinalizohet lehtë. Ne nuk kemi frikë, sepse qartësia e qëllimit tonë ka shpërndarë hijet e frikës. Dhe, më e rëndësishmja, ne nuk do të largohemi. Kjo lëvizje nuk është një fenomen i përkohshëm por, është një ndryshim themelor në peizazhin e vullnetit publik shqiptar".
Zgjohuni! Dëgjojeni! Ndryshoni!
Lini një Përgjigje