TAGS-AT E JAVËS

Kosova 6 Mars 2026, 08:32

Dështimi i seancës për presidentin e Kosovës, Haxhiu i kërkon Kushtetueses të pezullojë afatet

Shkruar nga Pamfleti
Dështimi i seancës për presidentin e Kosovës, Haxhiu i
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e procedurës së zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Kërkesa u paraqit pak minuta para përfundimit të afatit kushtetues për këtë proces.

Haxhiu bëri të ditur se Kuvendi ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vendosjen e një mase të përkohshme për pezullimin e afatit që lidhet me procedurën e zgjedhjes së presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit.

“Kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit”, shkroi ajo.

Ajo njoftoi se për këtë hap është informuar edhe presidentja Vjosa Osmani.

Nga ana tjetër, përfaqësues të mazhorancës ngritën shqetësime për zhvillimin e seancës në të cilën pritej votimi për presidentin. Deputetja Arbërie Nagavci deklaroi se Gjykatës Kushtetuese do t’i kërkohet gjithashtu të shqyrtojë mungesën e deputetëve të opozitës në seancë.

Sipas saj, mungesa e tyre pengoi zhvillimin e votimit dhe mund të përbëjë shkelje të Kushtetutës. Nagavci kërkoi që kërkesa e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese të trajtohet me përparësi.

“Presim dhe bëjmë thirrje që të shqyrtohet me prioritet kjo kërkesë e jona, sepse besojmë se deputetët që nuk morën pjesë në seancë kanë shkelur Kushtetutën”, tha Nagavci.

 

Lini një Përgjigje