
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, bëri të ditur se partia e tij po zhvillon konsultime me Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri.
Ai sqaroi se diskutimet janë në vijim dhe kanë për qëllim arritjen e një marrëveshjeje që do të siguronte funksionimin normal të institucioneve. Aktualisht, posti i presidentit ushtrohet përkohësisht nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pasi mandati i Vjosa Osmanit përfundoi më 4 prill.
Sipas Hazirit, procesi i konsultimeve mbetet aktiv, ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po angazhohet për të krijuar mundësi bashkëpunimi me VV-në.
Edhe kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar komunikimet me LDK-në, duke theksuar se rezultatet do të bëhen publike sapo të ketë zhvillime konkrete.
Kuvendi ka afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit. Nëse nuk arrihet një vendim brenda këtij afati, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
Takimi i fundit mes Kurtit dhe Abdixhikut nuk prodhoi marrëveshje, ndërsa LDK-ja disponon 15 mandate në Kuvend. Nga ana tjetër, VV-ja ka paralajmëruar vijimin e bisedimeve edhe me parti të tjera opozitare.
Më herët, mazhoranca kishte propozuar dy kandidatë për president, por procesi mbeti i papërfunduar për shkak të mungesës së kuorumit. Njëri prej emrave, Glauk Konjufca, ka shprehur gatishmëri për të tërhequr kandidaturën nëse opozita paraqet një alternativë të përbashkët.
Ndërkohë, një dekret për shpërndarjen e Kuvendit i nxjerrë pas dështimit të seancës për presidentin u shqyrtua nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendosi se ai nuk prodhon efekt juridik dhe përcaktoi 28 prillin si afat përfundimtar për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të fundit, ka 57 deputetë në Kuvend, numër i pamjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit, proces që kërkon të paktën 80 vota.
Lini një Përgjigje