Prokuroria ka kërkuar dënimin maksimal, burgim të përjetshëm, për Naim Murselin, Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt në fund të nëntorit 2023 në Prishtinë.
Në seancën gjyqësore ka folur edhe Leonardi, vëllai i së ndjerës, i cili theksoi se familja ka zgjedhur të besojë në drejtësi dhe pret një vendim të drejtë nga gjykata. Sipas tij, përgjegjësia për organizimin e krimit është e qartë.
"Ne si familje dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, një gjë e kanë të qartë që Naimi e ka organizuar këtë vrasje së bashku me Kushtrimin dhe e kanë zgjedhur Granitin si vrasës. Nga këtu, duhet të japim mesazhe të qarta, për të gjithë ata kriminelë që guxojnë të ngrenë duart mbi nënat e motrat tona. Duhet ta dimë të gjithë që këtë proces në të ardhmen do ta shohin edhe fëmijët e Liridonës, do të rriten me mallin për nënën e tyre e në të njëjtën kohë do të kërkojnë drejtësi për të. Kur ta shohin këtë proces, do ta kuptojnë që nuk kanë nevojë të brengosen sepse drejtësia për nënën e tyre ka shkuar në vend", tha ai.
Ai shtoi se familja e sheh dënimin maksimal si të vetmen mënyrë për të gjetur njëfarë lehtësimi për humbjen.
"Na ka mbetur edhe një gjysmë jete, të cilën e keni në duar ju ta vendosni se a duhet të jetojmë me frikë apo duhet të ndihemi të sigurt në vendin tonë. Andaj kërkojmë që dënimi të jetë me burgim të përjetshëm. Çdo dënim tjetër e denigron Liridonën, vendin, shoqërinë dhe vetëdijen e populli tonë për këtë krim makabër. Vetëm vuajtja e dënimit të tyre, e qetëson sado pak dhimbjen e familjes tonë", vijoi Leonard Ademaj.
Sipas aktakuzës, vrasja është planifikuar nga bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, si pasojë e përkeqësimit të marrëdhënieve familjare dhe martesore, çka, sipas prokurorisë, ka nxitur motivin për hakmarrje.
Dosja hetimore thekson se fillimisht plani i është propozuar Kushtrim Kokallës, i cili nuk ka pranuar të organizojë vrasjen, por më pas ka gjetur Granit Plavën dhe e ka lidhur atë me Murselin.
Sipas prokurorisë, arma e përdorur në krim, e pajisur me 20 fishekë, është siguruar nga Tom Dodaj, i cili e ka shitur atë për 280 euro dhe ka pranuar fajësinë. Ai është dënuar fillimisht me 5 vite burg, ndërsa më pas Gjykata e Apelit ia ka ulur dënimin në 3 vite.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli është deklaruar i pafajshëm. Ndërkohë, Granit Plava nuk është deklaruar, ndërsa Kushtrim Kokalla ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.
Lini një Përgjigje