TAGS-AT E JAVËS

Kosova17 Prill 2026, 13:26

Vrasja e Liridona Ademajt, caktohet data kur do të shpallet vendimi për Naim Murselin dhe dy bashkëpunëtorët

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e Liridona Ademajt, caktohet data kur do të shpallet vendimi
Gjyqi për vrasjen e Liridona Ademajt

Gjykata ka caktuar datën 21 prill, në orën 13:30, për shpalljen e vendimit ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, një nga rastet më të rënda kriminale që ka tronditur opinionin publik.

Në seancën e shpalljes së vendimit nuk do të jenë të pranishëm të pandehurit Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.

Gjatë procesit gjyqësor, prokuroria ka kërkuar dënimin maksimal, burgim të përjetshëm, për të tre të akuzuarit, duke argumentuar se vrasja është planifikuar dhe realizuar në bashkëpunim.

I gjithë plani për vrasjen, sipas aktakuzës, është bërë nga bashkëshorti i viktimës, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare dhe martesore, për të cilin shkak edhe ka lindur dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë theksohet po ashtu se plani fillimisht i është shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai ka refuzuar që të gjejë një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla e ka gjetur Plavën e të cilin e ka njoftuar me Naimin.

Sipas aktakuzës, Murseli ka siguruar armën me 20 fishekë nga i akuzuari Tom Dodaj, me të cilën e ka kryer vrasjen. Dodaj, i cili ua shiti armën Murselit e Plavës për 280 euro dhe ka pranuar fajësinë. Themelorja e dënoi me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia uli në tre vjet.

Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Plava nuk është deklaruar, ndërsa Kokalla ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.

Lini një Përgjigje