TAGS-AT E JAVËS

Kosova15 Prill 2026, 19:40

Pas presioneve nga LDK, Konjufca: Tërhiqem nga gara nëse opozita sjell kandidat për president!

Shkruar nga Pamfleti
Pas presioneve nga LDK, Konjufca: Tërhiqem nga gara nëse opozita sjell
Glauk Konjufca

Ministri i Punëve të Jashtme dhe njëkohësisht kandidat për president nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, deklaroi se është i gatshëm të tërhiqet nga gara për kreun e shtetit, nëse opozita arrin të propozojë një kandidat të përbashkët.

Ai theksoi se barra për të sjellë një emër konsensual i takon opozitës, ndërsa mazhoranca është e gatshme të japë votat për të zgjidhur ngërçin institucional.

“Më shumë barra e provës bie mbi opozitën që të na propozojë një emër, ndërsa ne mund t’i japim votat tona”, u shpreh Konjufca.

Ministri akuzoi partitë opozitare për mungesë vullneti politik për zgjedhjen e presidentit, duke shtuar se kjo është e dukshme “edhe nga aeroplani”. Sipas tij, opozita po bën llogari politike për zgjedhje të parakohshme, duke shpresuar në rënien e mbështetjes për Vetëvendosjen.

Konjufca përmendi edhe rolin e mundshëm të presidentes Vjosa Osmani, duke theksuar se opozita po e konsideron përfshirjen e saj në skenën politike si faktor që mund të ndikojë në rezultatin elektoral.

“Prej kur ka hyrë ky element në garë, nuk ka pasur propozime të sinqerta. Kjo është më shumë kalkulim për zgjedhje”, deklaroi ai.

Procesi për zgjedhjen e presidentit ka mbetur i bllokuar që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, pasi subjektet politike nuk kanë arritur të gjejnë konsensus. Seanca e fundit për zgjedhjen e kreut të shtetit dështoi për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita bojkotoi votimin.

Fillimisht, Vetëvendosje propozoi Konjufcën, e më pas edhe Fatmire Kollçaku-Mulhaxha, por votimi nuk u zhvillua për shkak se në sallë nuk ishin të pranishëm 80 deputetë, numri i nevojshëm për raundet e para.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që deputetët kanë afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin, pasi konstatoi se nuk kishin pasur kohën e plotë kushtetuese për këtë proces. Nëse deri në këtë datë nuk arrihet një zgjidhje, vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve kanë qenë të kufizuara. Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar vetëm një takim me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka kërkuar një “marrëveshje të madhe” dhe nuk ka mbështetur asnjë kandidat të propozuar deri tani.

Ndërkohë, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka refuzuar një takim joformal me Kurtin, duke kërkuar ftesë zyrtare.

Spekulimet për një marrëveshje të mundshme mes Vetëvendosjes dhe LDK-së janë hedhur poshtë nga kjo e fundit. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i ka cilësuar si të pavërteta raportimet për shkëmbim pozicionesh politike në këmbim të votës për presidentin.

Nga ana tjetër, zëra brenda opozitës, si ish-kryeministri Avdullah Hoti, kanë deklaruar se presidenti i ardhshëm nuk duhet të vijë nga radhët e Vetëvendosjes, duke kërkuar një figurë të pavarur që garanton balancën e pushteteve.

Ndërkohë, koha për zgjedhjen e presidentit po shkon drejt fundit, ndërsa skenari i zgjedhjeve të parakohshme mbetet gjithnjë e më i mundshëm nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje.

Lini një Përgjigje