TAGS-AT E JAVËS

Kosova14 Prill 2026, 20:41

Zgjedhja e presidentit në Kosovë, partitë vijojnë “ping-pongun”; rrezikohen zgjedhjet e parakohshme

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhja e presidentit në Kosovë, partitë vijojnë

Afati kushtetues deri më 28 prill rrit presionin politik, ndërsa Kuvendi përgatitet për seancë plenare me disa çështje të rëndësishme në rend dite

Përfaqësues të partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kanë deklaruar se ekzistojnë vota të mjaftueshme në Kuvend për zgjedhjen e presidentit edhe pa përfshirjen e kësaj partie, nëse Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është e interesuar të çojë përpara procesin.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, theksoi se përgjegjësia për zgjidhjen e situatës i takon shumicës parlamentare. Ajo u shpreh se, në mungesë të bashkëpunimit me PDK-në, LVV mund të sigurojë votat përmes deputetëve të partive të tjera.

“Ne kemi kërkuar që kjo çështje të trajtohet me seriozitet dhe që kërkesa e kryeministrit Albin Kurti ndaj PDK-së të formalizohet përmes një letre zyrtare. Deri tani, një letër e tillë nuk ka ardhur në adresën tonë”, deklaroi Çitaku.

-Mungesë komunikimi pas aktgjykimit të Kushtetueses

Pas konstituimit të Kuvendit, kryeministri Kurti kishte zhvilluar takime me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, por këto kontakte nuk kanë vazhduar pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e presidentit.

Ndërkohë, Kurti është takuar katër herë me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përfshirë edhe një takim pas vendimit të Kushtetueses. Abdixhiku ka deklaruar së fundmi se kërkon një marrëveshje më të gjerë politike me LVV-në dhe nuk mbështet asnjërin nga kandidatët aktualë për president.

-LVV: Po punojmë për konsensus

Nga ana tjetër, përfaqësues të LVV-së kanë bërë të ditur se janë duke u zhvilluar përpjekje për arritjen e një pajtueshmërie politike. Shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Arbërie Nagavci, u shpreh optimiste se brenda afatit të mbetur mund të gjendet një zgjidhje.

Sipas saj, angazhimet e kryeministrit Kurti synojnë shmangien e zgjedhjeve të parakohshme, duke arritur mbështetjen e nevojshme për zgjedhjen e presidentit.

-Afati kushtetues dhe rreziku i zgjedhjeve

Bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të zgjedhë presidentin deri më 28 prill. Nëse kjo nuk ndodh, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

-Seanca e radhës dhe çështje të tjera në Kuvend

Deklaratat politike u bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos që seanca e ardhshme plenare të mbahet të premten. Në rend dite pritet të jetë shqyrtimi i vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në mision ndërkombëtar në Gaza, si dhe Projektligji për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Nënkryetari i parë i Kuvendit, Ardian Gola, bëri të ditur se ekziston dakordim për shqyrtimin e këtij projektligji në lexim të dytë, ndërsa pret kontributin e deputetëve për përmirësimin e tij.

Nga ana tjetër, PDK ka paralajmëruar se qëndrimin për këtë projektligj do ta bëjë të ditur gjatë seancës. Çitaku theksoi se partia e saj nuk kundërshton luftimin e pasurimit të jashtëligjshëm, por shpreh shqetësim për, siç i cilësoi ajo, “lojëra politike” në procesin e hartimit të ligjit.

presidenti kosovë zgjedhja

Lini një Përgjigje