
Siç ka ndodhur shpesh herë, Moska vijon të shpërndajë desinformata në lidhje me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, për ndalimin e krimeve të regjimit të Slobodan Millosheviçit në Kosovë, me qëllim justifikimin e krimeve të saj në disa zona të Ukrainës...
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka rikthyer vëmendjen te bombardimi i Jugosllavisë nga NATO në vitin 1999, në një përpjekje për të kritikuar qëndrimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për sulmet ndaj objekteve civile nga Rusia.
Siç ka ndodhur shpesh herë, Moska vijon të shpërndajë desinformata në lidhje me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, për ndalimin e krimeve të regjimit të Slobodan Millosheviçit në Kosovë, me qëllim justifikimin e krimeve të saj në disa zona të Ukrainës.
Në deklaratat e saj, Zakharova deklaroi se bashkësia ndërkombëtare po zbaton standarde të dyfishta në trajtimin e konflikteve, duke përmendur situatat në Gaza dhe Libi si shembuj krahasues. Megjithatë, këto deklarata vijnë në një kohë kur Ukraina vazhdon të përballet me pasojat e luftës, ndërsa forcat ruse janë akuzuar nga organizatat ndërkombëtare për shkelje të rënda kundër civilëve.
"Kjo nuk vlen vetëm për SHBA-në dhe Iranin, apo jo? Kjo vlen edhe për Zelensky-n, i cili, nga pikëpamja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, nuk mund t'i justifikojë sulmet terroriste ndaj civilëve me ndonjë objektiv ushtarak, a e kemi kuptuar saktë këtë? Dhe a vlen kjo edhe për vuajtjet e banorëve të Gazës? Dhe për të gjitha sulmet e NATO-s në dekadat e fundit, nga bombardimi i Beogradit deri te shkatërrimi i Libisë", shprehej ajo.
Por realiteti historik është krejt ndryshe nga propaganda dhe dezinfomimi që Rusia tenton të shesë në arenën ndërkombëtare. Raporte të ndryshme, përfshirë ato nga OKB-ja, kanë dokumentuar sulme ndaj infrastrukturës civile, shkatërrime të përhapura dhe vrasje të civilëve në qytete si Bucha dhe Mariupol, të cilat janë bërë simbole të vuajtjeve gjatë konfliktit.
Autoritetet në Moskë kanë mohuar vazhdimisht përgjegjësinë për këto akuza, duke promovuar narrativa që synojnë relativizimin e veprimeve të tyre dhe zhvendosjen e fokusit drejt konflikteve të tjera ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, zyra e Guterres ka theksuar vazhdimisht se mbrojtja e civilëve duhet të jetë universale dhe se çdo shkelje e së drejtës ndërkombëtare humanitare duhet të hetohet, pavarësisht se kush është përgjegjës.
Në një reagim të mëparshëm në Bundestag, deputeti gjerman Adis Ahmetoviç kujtoi se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte vendimtare në ndalimin e krimeve të regjimit të Slobodan Millosheviçit në Kosovë.
Ai theksoi se përdorimi i vazhdueshëm i narrativës se bombardimet e NATO-s kanë krijuar një precedent, po përdoret për të justifikuar shkeljet e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
"Sa herë që e përdorni këtë rrëfim, i harroni viktimat e Masakrës së Srebrenicës, sepse atëherë nuk pati ndërhyrje humanitare. Sa herë që e përdorni këtë rrëfim, i harroni mbi të gjitha viktimat në Kosovë. Mijëra njerëz u bënë viktima të masakrave të Millosheviçit", deklaroi Ahmetoviç.
Ai shtoi se ndërhyrja humanitare e vitit 1999, e mbështetur edhe nga Bundestagu gjerman, ishte thelbësore për të parandaluar përsëritjen e një gjenocidi në Ballkanin Perëndimor.
Ahmetoviç kritikoi gjithashtu përhapjen e narrativave që, sipas tij, bien ndesh me vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut, duke paralajmëruar për rrezikun e relativizimit të krimeve të luftës dhe justifikimit të agresionit ndërkombëtar./Përshtati "Pamfleti" nga "The Geopost"
Lini një Përgjigje