TAGS-AT E JAVËS

Kosova10 Prill 2026, 07:47

SHBA mesazh të fortë për Kurtin dhe Vuçiç nga OKB-ja: Do të punojmë vetëm ata liderë që shohin nga e ardhmja

Shkruar nga Pamfleti

Trump paralajmëron Kosovën dhe Serbinë se SHBA po i vëzhgon nga afër dhe pret hapa konkretë drejt uljes së tensioneve. Ai kërkon nga Kurti dhe Vuçiç dialog të vërtetë dhe bashkëpunim, duke theksuar se e ardhmja duhet të ketë përparësi ndaj konflikteve të së kaluarës.

SHBA mesazh të fortë për Kurtin dhe Vuçiç nga
Foto ilustrim: Albin Kurti, Aleksandër Vuçiç dhe Donald Trump

Përfaqësuesja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Tammy Bruce, në seancën e mbajtur për Kosovën të enjten në New York është kujdesur që t’i përçojë disa mesazhe të forta për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Bruce ka thënë se presidenti amerikan Donald Trump dhe populli amerikan po vëzhgojnë me kujdes dhe po presin se si do të ecin përpara Kosova dhe Serbia.

SHBA mesazh të fortë për Kurtin dhe Vuçiç nga
Zëvendëspërfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Tammy Bruce.

Ajo ka thënë se SHBA-ja shpreson të shoh teksa Kurti dhe Vuçiç ulin tensionet dhe ulen në tavolinë, duke potencuar se Uashingtoni do të punojë afër me liderë që shohin nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara.

"Presidenti Trump dhe amerikanët po dëgjojnë me kujdes që ju të zotoheni qartë për të punuar dhe për të bashkëpunuar së bashku. Ne shpresojmë që të dyja palët do t’i ulin tensionet dhe do të ulen në tavolinë. Ne do të punojmë nga afër me liderë që shohin nga e ardhmja, e jo nga e kaluara. Me dialog të vërtetë dhe jo teatër”, ka thënë zëvendëspërfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Tammy Bruce, duke përsëritur se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur stabilitetin në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të ruhet stabiliteti në rajonin e Ballkanit.

"Populli i Kosovës dhe populli i Serbisë janë miqtë tanë. Ata meritojnë të ardhme që përkufizohet nga siguria, mundësitë ekonomike dhe marrëdhëniet fqinjësore, jo me tensione politike apo me probleme të ricikluara", ka thënë mes tjerash ajo.

Ekipi i Kosovës ka thënë se nuk pret normalizim të marrëdhënieve me Serbinë pa llogaridhënie të qartë për sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc dhe garanci për ndalje të agresionit, ndërsa ekipi i Serbisë e ka akuzuar Qeverinë e kryeministrit të Kosovë, Albin Kurti për shtypje të zërit të serbëve lokalë.

Kosova e akuzon Serbinë për të kryerjen e të dyja sulmeve, ndërsa Beogradi mohon gjithçka.

Në sulmin në Banjskë u vra një zyrtar i Policisë së Kosovës, ndërsa në Ibër-Lepenc pati shpërthim të lëndëve plasëse që rezultuan me dëmtim të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe energji elektrike”.

Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia po dialogojnë për normalizim marrëdhëniesh prej vitit 2011, mirëpo jo të gjitha marrëveshjet e arritura janë zbatuar.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) Peter Nicolaisen Due, i ka përmendur një mori procesesh që kanë marrë vëmendjen në Kosovë në muajt e fundit, nisur nga konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe çështja e presidentit, duke bërë thirrje që kjo e fundit të ketë epilog shpejt dhe që të shmangen zgjedhjet e reja.

Ai ka thënë se shpreson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç do të takohen në një të ardhme të afërt në Bruksel.

Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Kosova, kanë insistuar që puna e misionit të UNMIK-ut në Kosovë ka mbaruar, përderisa Serbia ka insistuar në vazhdimin e punës së tij.

Misioni i UNMIK-ut vepron sipas rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë.

Ky mision është neutral ndaj statusit të Kosovës ndërsa pas shpalljes së pavarësisë së vendit në shkurt të vitit 2008, UNMIK-u i ka bartur të gjitha kompetencat tek institucionet vendore.

shba mesazh të fortë për kurtin dhe vuçiç

Lini një Përgjigje