
Përdorimi i gjuhës shqipe, një e drejtë e garantuar ligjërisht për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, u kthye në një çështje debati në seancën e 13-të të Komisionit për Mundësi të Barabarta në Shkup.
Deputetja e Aleancës për Shqiptarët në opozitë, Ilire Dauti, reagoi ndaj moszbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke kritikuar faktin që materialet e seancës nuk ishin të përkthyera në shqip. Sipas saj, kjo situatë përbën diskriminim dhe cenon barazinë e deputetëve shqiptarë.
“…e nderuar nënkryetare e komisionit, po të lutem në mënyrën shumë korrekte këtu ka rregullore si funksionon, këtu nuk mund ta bësh tënden si të vije qejfi sepse në këtë rast e drejta qëndron te unë. Duhet të mi siguroni fillimisht materialet në gjuhën shqipe e pastaj të vazhdosh me seancë. Në të kundërtën, ja le ta shohin mediumet e qytetarët edhe këto zonja të nderuara këtu si mund të flitet për barazi kur në mënyrë të hapur po bëhet dhunë psikologjike dhe nënçmim ndaj deputetëve shqiptarë. Kjo seancë ka filluar pa zbatimin e Kushtetutës dhe pa zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërkaq këtu diskutohet për strategji, e cila në qendër të vëmendjes dhe fjalët kyçe i ka diskriminimin, dhunën psikologjike, nënçmimin e kështu me radhë…”, tha Dauti duke bllokuar seancën.
Ndërsa Dauti fliste, nënkryetarja e komisionit, Vesna Gjorgjieva, u pa duke marrë udhëzime përmes telefonit celular.
“Vazhdojmë me seancën… Nuk keni të drejtë të fjalës nuk ju dhashë të drejtë të flisni! Ju lutem, nuk ju dhashë të drejtën e fjalës!”, tha Vesna Gjorgjieva duke akuzuar Dautin se po përpiqet të fitojë pikë politike.
“Nuk dua t’i manipuloni këta njerëz që kanë ardhur këtu në këtë diskutim publik për të arritur në përfundime, që do na ndihmonin shumë të gjithë neve dhe jo të fitojmë vetëm pikë politike…”, tha Gjorgjieva.
Pavarësisht ndërhyrjeve, Dauti nuk u largua nga foltorja. Ajo kritikoi gjithashtu faktin që edhe ministri për Politikë Sociale, Fatmir Limani, kishte firmosur dokumentin vetëm në gjuhën maqedonase, si dhe akuzoi kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, për neglizhencë në zbatimin e gjuhës shqipe në këtë komision.
Pas përshkallëzimit të debatit, nënkryetarja Gjorgjieva vendosi të ndërpresë seancën për të mundësuar printimin e materialeve në gjuhën shqipe dhe shpërndarjen e tyre tek deputetët.
Debati për përdorimin e gjuhës shqipe është intensifikuar kohët e fundit në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht pas protestave të studentëve shqiptarë të Jurisprudencës, të cilët kërkojnë të zhvillojnë provimet në gjuhën shqipe. Disa ditë më parë, mijëra studentë protestuan duke e konsideruar përdorimin e gjuhës si një të drejtë themelore, ndërsa një pjesë e tyre kritikuan edhe partitë shqiptare për dobësimin e rolit të gjuhës amtare.
Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski është shprehur se institucionet janë duke punuar për një zgjidhje, e cila duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje