Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku, përkatësisht kreu i VV-së dhe LDK-së, zhvilluan takimin e parë, në kuadër të një procesi negociatash të iniciuar për shmangien e një krize të re politike në Kosovë, për shkak të procesit të zgjedhjes të Presidentit. Abdixhiku tha se në takimin me Kurtin është diskutuar për gjetjen e një zgjidhjeje, ndërsa tha se nuk është e pranueshme që Presidenti t’i përkasë të njëjtës partie që ka Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit.
“Jo nuk kemi diskutuar ende emra konkret. Procesi është nisur, janë dy emra të LVV-së në proces, derisa LDK e ka pozicionin e qartë se një partie politike nuk mund t’i takojnë të gjitha postet. Po provojmë të gjejmë zgjidhje të përbashkët, konsensuale, me takime dhe do ta ndjekim këtë rrugë sa herë që mundemi për të shmangur zgjedhjet”, ka thënë Abdixhiku. Ai shtoi se palët duhet të përcaktojnë fillimisht parimet e procesit, më pas të diskutohet mbi emrat konkretë.
“Po përpiqemi të bëjmë zgjidhje. Përderisa jemi në takime po bëjmë përpjekje. Nëse nuk bëjmë asgjë në tri javët e ardhshme, zgjedhjet janë të pashmangshme”, shtoi Abdixhiku.
Lini një Përgjigje