Me konfigurimin që ka Kuvendi i Kosovës dhe formulën për zgjedhjen e Presidentit të ri, duhet të arrihet një marrëveshje matematike dhe politike…
Albin Kurti, drejtues i mazhorancës në Kuvendin e Kosovës, ka nisur konsultimet me drejtues të partive politike, lidhur me arritjen e një kompromisi për zgjedhjen e Presidentit të ri, me synim shmangien e një krize që do të çonte në shpërndarjen e Parlamentit dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Serinë e konsultimeve Kurti e nisi me kreun e LDK-së, Lumit Abdixhiku, për të vijuar më pas me atë të PDK-së, Bedri Hamza.
Procesi për zgjedhjen e Presidentit të ri në Kosovë, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit, ka hyrë në një fazë kritike. Kuvendi ka afat deri në 28 prill për të zgjedhur Presidenti (e)n, në të kundërt ai shpërndahet dhe Kosova shkon sërish në zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e fundit në Kosovë u mbajtën në 28 dhjetor 2025, ku VV e Albin Kurtit fitoi 51% të votave, por pa arritur të marrë një shumicë që të zgjedhë e vetme Presidentin.
Albulena Haxhiu ushtron detyrën e presidentes në detyrë pas largimit të Vjosa Osmanit, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka caktuar 28 prillin si afatin përfundimtar për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Nëse deri atëherë nuk arrihet një rezultat, vendi shkon automatikisht në zgjedhje brenda 45 ditësh.
Me konfigurimin që ka Kuvendi i Kosovës dhe formulën për zgjedhjen e Presidentit të ri, duhet të arrihet një marrëveshje matematike dhe politike. Vetëvendosje dhe aleatët e saj në qeveri kanë 66 deputetë, numër i pamjaftueshëm për të zgjedhur presidentin në dy raundet e para, ku kërkohen 80 vota. Pa mbështetjen e opozitës, nuk mund të sigurohet shumica e nevojshme. Marrëdhëniet mes palëve mbeten të tensionuara dhe pa sinjale konkrete kompromisi.
Emra të lidhur me Vetëvendosjen, si Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, nuk duket se kanë potencial për të siguruar mbështetje ndërpartiake.
Por, debati për presidencën po lidhet gjithnjë e më shumë me zhvillimet brenda opozitës. Lumir Abdixhiku ka folur për nevojën e konsolidimit të së djathtës nën udhëheqjen e LDK-së, duke lënë të hapur edhe mundësinë e përfshirjes së Vjosa Osmanit në një platformë më të gjerë politike. Megjithatë, opozita ende nuk ka paraqitur një strategji të qartë dhe bindëse për të sfiduar momentumin politik të Kurtit.
Qeveria ka deklaruar se synon të shmangë zgjedhjet e parakohshme, por skenari që duket më i lehti për tu arrirë është pikërisht ky: Kosova të shkojë sërish në zgjedhje.
Ky proces mund të forcojë më tej pozitën e Albin Kurtit nëse ai konfirmon mbështetjen elektorale, ose të riformatojë skenën politike nëse opozita arrin të paraqitet më e koordinuar dhe më kredibile.
Lini një Përgjigje