Pas marrjes së detyrës si Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë reagimin e saj të parë publik, duke theksuar se do ta ushtrojë këtë funksion me përgjegjësi dhe përkushtim.
Në një postim në rrjetet sociale, Haxhiu garantoi se gjatë ushtrimit të detyrës do të sigurojë funksionimin normal të institucioneve dhe respektimin e rendit kushtetues.
“Këtë përgjegjësi do ta ushtroj me përkushtim të plotë, duke garantuar funksionim të pandërprerë të institucioneve dhe respektim të rendit kushtetues”, u shpreh ajo.
Ajo nënvizoi se mekanizmat kushtetues të vendit garantojnë vazhdimësi dhe stabilitet institucional, ndërsa Kuvendi i Kosovës pritet të vijojë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri brenda afateve të përcaktuara.
Reagimi i Haxhiut vjen menjëherë pas dorëzimit zyrtar të detyrës nga presidentja në largim, Vjosa Osmani, e cila ia kaloi kompetencat kryetares së Kuvendit deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Gjatë ceremonisë në Presidencë, Osmani vuri në dukje simbolikën e faktit që posti po i kalon një tjetër gruaje, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për përfaqësimin në institucione.
“Gjithnjë ka qenë një nga dëshirat e mia të mëdha që, kurdo që dal nga kjo zyrë, ta lë një grua mbrapa. Kjo dëshirë sot po më plotësohet dhe shpresoj shumë që, siç thotë populli, ta ‘ngrehni këmbën zhag’ edhe ju, që pas jush të jetë një grua në këtë zyrë”, u shpreh Osmani.
Ajo paralajmëroi se detyra e kreut të shtetit nuk është e lehtë, duke theksuar përgjegjësitë e mëdha që lidhen me drejtimin e politikës së jashtme dhe përfaqësimin e unitetit të vendit.
“S’do të jetë punë e lehtë. Të jesh kreu i shtetit dhe të përfaqësosh unitetin e vendit janë përgjegjësi të jashtëzakonshme”, tha Osmani.
Presidentja në largim bëri gjithashtu thirrje që Kuvendi të zgjedhë sa më shpejt presidentin e ri, në mënyrë që të garantohet stabilitet institucional në një periudhë të ndjeshme.
Në përfundim të mandatit të saj, Osmani siguroi se do të vijojë të kontribuojë për vendin edhe jashtë funksionit, ndërsa Haxhiu e falënderoi për punën dhe shërbimin ndaj Kosovës, duke i uruar suksese në vijim.
Lini një Përgjigje