
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të premten se është në kontakt me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe me atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ai njoftoi se takimet me ta do të zhvillohen javën e ardhshme.
Mandati pesëvjeçar i presidentes Vjosa Osmani përfundon nesër. Në këto rrethana, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit pritet të kalojë te kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, e cila vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurti kishte paralajmëruar edhe më herët se do të takohej me Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun. Këto kontakte vijnë në një moment kur procesi për zgjedhjen e presidentit mbetet i bllokuar dhe kërkon dakordësi më të gjerë politike.
Më 25 mars, Gjykata Kushtetuese u dha deputetëve afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit. Nëse kjo nuk ndodh brenda këtij afati, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme.
Dy ditë më parë, më 2 prill, Kurti bëri thirrje për bashkëpunim, duke theksuar se situata nuk lejon vonesa dhe bllokada të reja. Nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po e zvarrit procesin për interesa të saj.
Takime mes Kurtit, Hamzës dhe Abdixhikut kishte edhe përpara se çështja të përfundonte në Gjykatën Kushtetuese. Ato nuk sollën rezultat konkret. Më 5 mars, Vetëvendosje paraqiti dy emra për president, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mullhaxha-Kollçakun.
Kriza institucionale mori tjetër drejtim pasi Vjosa Osmani dekretoi shpërndarjen e Kuvendit më 6 mars, një ditë pas dështimit të zgjedhjes së presidentit. Gjykata Kushtetuese vlerësoi më pas se ky dekret nuk kishte prodhuar efekt juridik.
Aktualisht, Vetëvendosje nuk i ka votat për ta zgjedhur e vetme presidentin. Procedura kërkon të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë dhe dy të tretat e votave në dy raundet e para. Në raundin e tretë nevojiten 61 vota.
Opozita ka theksuar se barra kryesore për sigurimin e shumicës i takon partisë në pushtet dhe ka kërkuar një marrëveshje politike për të dalë nga ngërçi.
Lini një Përgjigje