TAGS-AT E JAVËS

Kosova 2 Prill 2026, 16:30

Gjykata rrëzon Thaçin, prokuroria mund të dorëzojë materiale të reja kundër tij!

Shkruar nga Pamfleti
Gjykata rrëzon Thaçin, prokuroria mund të dorëzojë
Hashim Thaçi

Trupi Gjykues në çështjen ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së ka vendosur të mos pranojë kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për ndalimin e dorëzimit të materialeve të tjera nga Prokuroria pas mbylljes së rastit më 18 shkurt 2026.

Kërkesa, e mbështetur edhe nga mbrojtja e Rexhep Selimit, synonte të pengonte çdo material të ri që mund të paraqitej pas kësaj date. Paneli arriti në përfundimin se materialet e dërguara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në fillim të marsit nuk përbëjnë prova të reja në kuptimin procedural.

Sipas vendimit, katër materiale të dorëzuara më 4 mars dhe një tjetër më 10 mars janë komunikuar përmes sistemit të brendshëm dhe nuk janë paraqitur për qëllime pranueshmërie, por si njoftim për palët dhe për trupin gjykues. Paneli thekson se ky veprim nuk bie në kundërshtim me rregullat e procedurës.

Gjykata gjithashtu refuzon argumentin se, pas mbylljes së rastit, humbet interesi për mbikëqyrjen e detyrimeve të zbulimit të provave. Sipas saj, kjo përgjegjësi mbetet në fuqi edhe në këtë fazë të procesit.

“Për dallim nga parashtrimet e Mbrojtjes, Paneli gjen se dorëzimi nuk përbën parashtrim apo prova drejtuar Panelit në kuadër të këtij Rregulli. Zbulimi i provave nuk i është komunikuar gjykatës për qëllime të pranueshmërisë por si njoftim për palën e kundërt, pjesëmarrësit dhe Panelin”, thuhet në vendimin e Charles Smith.

Nga ana tjetër, mbrojtja e Thaçit e kundërshtoi dorëzimin e këtyre materialeve, duke i cilësuar si të padrejta dhe të papranueshme. Ajo argumenton se paraqitja e njëanshme e dokumenteve në këtë fazë cenon të drejtën për një proces të barabartë dhe kundërshtues.

Vendimi i Panelit lë në fuqi mundësinë e Prokurorisë për të vijuar komunikimin e materialeve, pa i konsideruar ato si prova të reja në procedurë.

hashim thaçi

Lini një Përgjigje