TAGS-AT E JAVËS

Kosova 2 Prill 2026, 15:19

Kosova ‘braktiset’ nga Europa, zyra e BE-së në Kosovë mbetet pa ambasador

Shkruar nga Pamfleti

Kosova ‘braktiset’ nga Europa, zyra e BE-së në Kosovë

Bashkimi Evropian nuk ka arritur ende të përmbyllë emërimin formal të ambasadorit të ri në Kosovë, duke lënë përkohësisht pa drejtues të përhershëm një nga postet kyçe diplomatike në rajon. Burime diplomatike në Bruksel kanë bërë të ditur për median kosovare ‘Koha’ se procesi mund të zgjasë disa javë apo edhe muaj.

Sipas burimeve diplomatike, një diplomat i lartë italian ishte përzgjedhur jozyrtarisht për të marrë drejtimin e Zyrës së BE-së në Prishtinë, duke pasuar estonezin Aivo Orav, i cili tashmë ka nisur detyrën si ambasador i BE-së në Ankara. Megjithatë, emërimi i tij nuk është finalizuar dhe arsyet mbeten të paqarta.

Vendimi përfundimtar i takon përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, dhe më pas duhet të miratohet nga shtetet anëtare. Diplomatë të ndryshëm kanë pranuar se nuk kanë një shpjegim të qartë për vonesën.

Zyra e BE-së në Kosovë, së bashku me atë në Sarajevë, ka status të veçantë pasi drejtuesi i saj mban edhe rolin e përfaqësuesit special të BE-së. Këto poste zakonisht rezervohen për vende që konsiderohen më të ndjeshme nga aspekti politik dhe i sigurisë.

Derisa të emërohet ambasadori i ri, drejtimi i zyrës në Prishtinë do të ushtrohet nga Eva Palatova në cilësinë e ushtrueses së detyrës.

Disa diplomatë kanë përmendur si pengesë joformale mundësinë e mungesës së balancës gjeografike në përfaqësimin diplomatik të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Aktualisht, disa poste kyçe në rajon dhe në Bruksel mbahen nga diplomatë italianë. Megjithatë, kjo nuk konsiderohet arsye formale dhe ka edhe qëndrime se Italia thjesht ka treguar interes më të madh për rajonin krahasuar me vendet e tjera anëtare.

Diplomatë të BE-së theksojnë se mungesa e një ambasadori të emëruar mund të ndikojë në ritmin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ka edhe kritika se Kosova është neglizhuar në raport me vendet e tjera të rajonit, duke përmendur mungesën e vizitave nga zyrtarë të lartë të BE-së.

Në anën tjetër, BE ka argumentuar më herët se situata politike në Kosovë dhe fazat e zgjatura zgjedhore kanë ndikuar në nivelin e angazhimit.

kosova be ambasadori

Lini një Përgjigje