TAGS-AT E JAVËS

Kosova 1 Prill 2026, 10:53

Vjosa Osmani dekoron “Dardanët”, Kurti: Një hap larg madhështisë

Shkruar nga Pamfleti

Vjosa Osmani dekoron “Dardanët”, Kurti: Një hap larg

Përfaqësuesja e Kosovës e mbylli aventurën në kualifikueset e Botërorit mes duartrokitjeve dhe emocioneve të forta, duke fituar zemrat e tifozëve pavarësisht se nuk arriti të sigurojë biletën për në fazën finale. Nga Prishtina deri në diasporë, performanca e “Dardanëve” u përjetua si një sukses që solli krenari dhe bashkim, ndërsa diferenca mes ëndrrës dhe realitetit u përcaktua nga detaje të vogla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një reagim në rrjetet sociale, vlerësoi performancën e ekipit dhe emocionet që ai dhuroi.

“Të mos harrojmë që përfaqësuesja jonë na ka dhënë emocione të jashtëzakonshme duke na bërë krenarë aq shumë sa t’u jemi mirënjohës përgjithmonë e përkrah përherë. Fakti që ishim kaq pranë kualifikimit tregon sa afër madhështisë jemi. Dhe shpejt, aty do të jemi”, shkruan ndër të tjera Kurti.

Ndërkohë, zhgënjimi për rezultatin final mbeti në stadiumin “Fadil Vokrri”, por jashtë tij lojtarët e Kosovës, përfshirë Vedat Muriqin, u pritën si heronj nga tifozët.

Në shenjë vlerësimi, Presidentja Vjosa Osmani priti përfaqësuesit e ekipit në një ceremoni zyrtare, ku Kombëtarja e Kosovës u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave për arritjet dhe përfaqësimin në arenën ndërkombëtare.

Edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, shprehu krenarinë për këtë rrugëtim, duke theksuar se sfidat do ta forcojnë ekipin. 

“Jo çdo mbrëmje sjell rezultatin që e dëshirojmë, por çdo sfidë na bën më të fortë. Jam i bindur se Gladiatorët dardanë do të rikthehen më të fortë, me më shumë vendosmëri dhe me të njëjtin shpirt luftarak që na ka sjellë deri këtu”, shkruan Ademi.

Megjithëse nuk u arrit objektivi final, përfaqësuesja e Kosovës e mbyll këtë cikël me një kapital të madh besimi dhe pritshmëri për të ardhmen.

Lini një Përgjigje