Osmani dorëzon Presidencën: Stabiliteti institucional është urgjent
Presidentja në largim e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dorëzuar zyrtarisht detyrën, duke ia kaluar kompetencat kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila do të ushtrojë funksionin e presidentes deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Gjatë ceremonisë zyrtare në Presidencë, Osmani theksoi simbolikën e faktit që posti po i kalon një gruaje, duke shprehur dëshirën që kjo vijë të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Ju dëshiroj mirëseardhje zonja kryetare e Kuvendit dhe nga sonte në mesnatë edhe ushtruese e detyrës së presidentes së Republikës. Gjithnjë ka qenë një nga dëshirat e mia të mëdha që, kurdo që dal nga kjo zyrë, ta lë një grua mbrapa. Kjo dëshirë sot po më plotësohet dhe shpresoj shumë që, siç thotë populli, ta ‘ngrehni këmbën zhag’ edhe ju, që pas jush të jetë një grua në këtë zyrë. Me besimin e plotë që gratë gjithmonë tregojnë kujdes të veçantë ndaj institucioneve dhe ndaj çdo qytetari të Republikës”, u shpreh Osmani.
Ajo theksoi se drejtimi i shtetit mbart përgjegjësi të mëdha, sidomos në fusha si politika e jashtme dhe përfaqësimi i unitetit të vendit, duke paralajmëruar se detyra nuk është e lehtë.
“S’do të jetë punë e lehtë. Edhe unë i kam provuar të dyja, edhe si kryeparlamentare edhe si ushtruese e detyrës së presidentes. Të jesh kreu i shtetit, të udhëheqësh politikën e jashtme dhe të përfaqësosh unitetin e vendit janë përgjegjësi të jashtëzakonshme dhe kërkojnë përkushtim të plotë”, tha ajo.
Osmani bëri thirrje që Kuvendi të zgjedhë sa më parë presidentin e ri, në mënyrë që të sigurohet stabilitet institucional në një periudhë të ndjeshme.
“Shpresoj shumë që Kuvendi sa më parë ta zgjedhë presidentin apo presidenten e re, me qëllim që të kemi stabilitet institucional, në një kohë kur jo vetëm vendi ynë dhe rajoni, por e gjithë bota po përballet me kriza të mëdha”, theksoi ajo.
Në përfundim, Osmani garantoi mbështetje të plotë edhe pas largimit nga detyra, duke nënvizuar se angazhimi për shtetin nuk lidhet me funksionet që mbahen.
“Ne do të jemi në dispozicionin tuaj të plotë, unë dhe stafi, çdo ditë dhe në çdo kohë, për çfarëdo që i duhet këtij shteti. Angazhimi për shtetin nuk është i lidhur me pozitat që mbajmë dhe nuk do të jetë as në të ardhmen”, përfundoi Osmani.
Posti i ushtruesit të detyrës së presidentit nga Albulena Haxhiu nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.
Zgjedhja e presidentit të ri dështoi në fillim të muajit të kaluar pikërisht për shkak të mungesës së një marrëveshjeje mes partive. Dy kandidatë të paraqitur nga partia në pushtet, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, nuk u hodhën fare në votim në mungesë të kuorumit gjatë një seance më 5 mars.
Per mua jo nuk mbeher detergent as mandate se nuk lejon kushetuta, pa behehete zgjedhje