TAGS-AT E JAVËS

Kosova 7 Prill 2026, 12:05

PDK i vendos kushte Kurtit për presidentin e ri: Propozimin të na e sjellë të shkruar

Shkruar nga Pamfleti

PDK i vendos kushte Kurtit për presidentin e ri: Propozimin të na e

Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur kushte ndaj kryeministrit dhe njëherazi kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, në lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit.

Më herët, Kurti kishte deklaruar se po përpiqet të zhvillojë një takim me kreun e PDK-së, Bedri Hamza. Nga kjo parti është kërkuar që çdo iniciativë e re për këtë çështje të paraqitet në mënyrë të formalizuar dhe me shkrim.

“Nevojitet një letër zyrtare në mënyrë që të rritet serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje. Pas këtij konkretizimi nga ana e tij, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së”, thuhet në një njoftim të zyrës për media të kësaj force politike.

Ndërkohë, të hënën Kurti zhvilloi një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku në fokus ishte mundësia e gjetjes së një kandidati të përbashkët për president, me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja.

Abdixhiku ka theksuar se LDK mbetet e angazhuar për të gjetur një kandidat që mund të sigurojë votat e nevojshme, pa përmendur emra konkretë, ndërsa ka përsëritur se presidenti i ri nuk duhet të vijë nga radhët e Vetëvendosjes.

Nga ana e tij, Kurti ka bërë të ditur se janë diskutuar disa emra, por pa dhënë detaje, duke theksuar se nuk mund të flasë publikisht pa pasur siguri për një marrëveshje.

Përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila ka përcaktuar se nëse deri më 28 prill nuk zgjidhet presidenti, vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

Aktualisht, Kurti dhe partnerët e tij qeverisës disponojnë 66 mandate në Kuvendin e Kosovës nga gjithsej 120. Për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve, si dhe e njëjta pjesëmarrje në sallë.

Lini një Përgjigje