
Ngërçi politik për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës mund të zgjidhet vetëm përmes vullnetit dhe përgjegjshmërisë politike, duke shmangur koston e zgjedhjeve të parakohshme që do të prodhonin të njëjtin rezultat. Kështu deklaroi ish-ambasadori Arben Çejku, i cili theksoi se matematikisht ekzistojnë 98% shanse për të zgjedhur presidentin, por shtoi se gjithçka varet nga aftësia e partive politike për të kapërcyer interesat e ngushta.
Në një intervistë për emisionin “Të Pashoq”, në kanali në Youtube të Pamfletit, ish-ambasadori Çejku tha se nëse kryeministri Albin Kurti dhe drejtuesit e partive opozitare tregohen të përgjegjshëm, atëherë zgjedhja e kreut të ri të shtetit është plotësisht e arritshme.
Ai theksoi se shkuarja sërish në zgjedhje, do të ishte thjesht një shpenzim parash dhe energjish për popullin e Kosovës, duke e futur vendin në të njëjtin cikël krize. Një skenar i tillë, paralajmëron ai, e degjeneron komplet seriozitetin e një shteti.
I pyetur për një rikandidim të mundshëm të Vjosa Osmanit, analisti shprehet skeptik. Ai argumenton se Osmani shihet më shumë si një “figurë partiake politike sesa si figurë presidenciale”, duke shtuar se mënyra se si u menaxhua mandati i saj nga qeveria Kurti e politizoi institucionin e presidencës. Sipas tij, nëse ajo do të ishte një figurë konsensuale, do të ishte zgjedhur tashmë pa pasur nevojë për të kaluar nëpër këto rrethana bllokuese. Për këtë arsye, një rikthim i saj nuk do t'i shtonte kredibilitet procesit.
Pjesë nga intervista:
-Pse jemi këtu? E cekët pjesën e presidentit të Kosovës. Besoni se do të zgjidhet apo do të shkojë sërish për të disatën herë në pak kohë në zgjedhje të reja Kosova?
Arben Çejku: Të themi kështu hapur fare. Janë 98 mundësi për ta zgjedhur presidentin. Janë vetëm dy mundësi për të mos e zgjedhur. Që do të thotë, ëh, në qoftë se ka vullnet politik, ka përgjegjshmëri politike nga zoti Kurti dhe drejtuesit e tre partive të tjera politike të opozitës, absolutisht që mundësia për ta zgjedhur presidentin e ri ose presidenten, se mund të jetë edhe femër, të Kosovës, e kanë të padiskutueshme. Pra, ëh, ka figura që mund të përmbushin kriteret për një president dinjitoz, për një presidencë dinjitoze. Ëh, mund t'i kursejnë popullit të Kosovës jo thjesht paratë, por mund t'i kursejnë edhe energjitë edhe një luftë tjetër politike për të ardhur pak a shumë në të njëjtin rezultat që kanë dhe për të patur përsëri të njëjtin cikël krize, sepse në qoftë se shkohet në zgjedhje të të jashtëzakonshme për 45 ditë, cili do të jetë rezultati? Ëh, shto dy plus minus dy, aty aty do të kemi pak a shumë këtë shifër dhe do të kemi përsëri të njëjtin diskutim. Pra që nuk i kemi të gjitha votat, por në qoftë se ne s'i japim votën, ai nuk i bën dot 80 vota dhe do të vazhdojë ky ky cikël dhe kjo kjo e degjeneron, nuk e nuk ia ul më seriozitetin, por e degjeneron komplet seriozitetin e një shteti. Prandaj, thirrja ime është që secila parti politike të bëjë një hap prapa, nga të heqë dorë nga kandidatura partiake dhe të bashkohen sinqerisht tek një president, le të jetë president qoftë edhe teknik, sa më pak politik.
- Po sipas jush, kush do të ishte një kandidaturë që mund të ishte gjithëpërfshirëse, gjithëpranuar, potencialisht e mirë për Kosovën?
Arben Çejku: Shiko, duke qenë që kam shërbyer dhe i njoh shumicën prej prej njerëzve që vërtetë kanë kredibilitet për për të shërbyer si president apo presidente të Kosovës, nuk mund të përmend emra sepse krijoj një... nuk nuk nuk më shkon mua, personalisht nuk më shkon mua që të them që ky person ose ai person. Por parimisht, ëh, është shumë e thjeshtë nëse zoti Kurti apo të tjerët e vizatojnë identikitin e presidentit që duan. Cili do të jetë presidenti që duan? Pra të jetë një president apolitik, dakord. Të jetë një figurë, ëh, përgjithësisht akademike dhe njeri i angazhuar publik. Të jetë një figurë që i ka ndjekur zhvillimet dhe ndërti...
-Jeni për rikandidimin e Vjosa Osmanit?
Arben Çejku:...shtetit. Nuk besoj, sepse mënyra se si u u u menaxhua presidenca e saj, pra mënyra se si zoti Kurti e spostoi ose ia përmbylli mandatin, unë zonjën Osmani më shumë e shoh si figurë partiake politike sesa si figurë presidenciale. Unë mendoj që edhe ajo vetë nuk e sheh një rikthim, sepse një rikthim nuk është se do t'i jepte shumë kredibilitet për arsye se nëse do ishte e tillë ajo duhet të ishte zgjedhur, nuk kishte nevojë të vinim tek këto rrethana. Mund të kishte figura të tjera, mund të ka, mund të ketë figura të tjera jo politike, sepse fakti që zonja Osmani ishte një figurë partiake, politike, në një farë mënyre e politizoi deri diku presidencën. Pra herë pas here...
-Po prapë dominante ishte në skenën e jashtme për shembull.
Arben Çejku: Po sigurisht, ishte dominante sepse është vetë posti i presidentit që të jep mundësi për për kontakte ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje