
Në një analizë të situatës gjeopolitike, ish-ambasadori Arben Çejku ka diskutuar mbi nivelin e rrezikut që i kanoset Shqipërisë nga Irani, veçanërisht pas paralajmërimit të disa ditëve më parë nga ambasada amerikane në Tiranë.
Në një intervistë për emisionin “Të Pashoq”, në kanali në Youtube të Pamfletit, ish-ambasadori Çejku tha se ndonëse paralajmërimi nuk u mor me seriozitetin e duhur nga të gjithë, rreziku mbetet real dhe kërkon vigjilencë të vazhdueshme.
Çejku shpjegoi se kërcënimi duhet parë në kontekstin e standardeve të larta të sigurisë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës aplikojnë për aleatët e tyre. Ai theksoi se qëndrimet e qarta zyrtare të Shqipërisë kundër regjimit të ajatollahëve, në mbështetje të SHBA-së, e vendosin vendin në një pozicion të ekspozuar. Faktorë të tjerë që rrisin këtë ekspozim, sipas ish-ambasadorit, janë strehimi i opozitës iraniane (MEK) në Shqipëri, si dhe prania e shërbimeve sekrete nga vende jo mike.
Ai vuri në dukje një tendencë të përgjithshme për të mos i marrë seriozisht këto paralajmërime, duke e krahasuar me qëndrimin gjatë pandemisë së COVID-19. Sipas tij, kjo nuk ka të bëjë me të qenit “frikacakë”, por me mungesën e një përgjegjshmërie kolektive ndaj rreziqeve të mëdha. Çejku theksoi se institucionet shtetërore duhet të marrin masa afatgjata dhe jo thjesht sporadike.
Pjesë nga intervista:
-Në pjesën e parë shteruam disa prej pyetjeve, do të vijojmë në këtë pjesë me një tjetër të ftuar Arben Çejku, ish-ambasador. Mirëmbrëma, mirë se erdhët.
Arben Çejku: Mirëmbrëma.
-Tani si fillim gjithçka po ndodh në Lindjen e Mesme. Para ca ditësh lufta në Iran na kërcënoi drejtpërdrejtë, sidomos nga mesazhi që shpërndau ambasada amerikane në Tiranë. U duk se askush nuk e mori seriozisht nga ata që duhet ta merrnin. Megjithatë lajmi i mirë është se tashmë është aktivizuar armëpushimi dy javor në Iran dhe duket se ai paralajmërim është vërtetë në këtë moment diçka e pabesueshme, domethënë, a mund të jetë Shqipëria vërtetë e kërcënuar nga Irani apo tashmë referuar zhvillimeve të fundit përjashtohet kjo pistë?
Arben Çejku: Shiko, varet nga standardet që kanë Shtetet e Bashkuara për çështjet e sigurisë, për qytetarët e tyre, për shtetasit e vendit mik, siç është në këtë rast Shqipëria. Ne jemi një vend aleat i Shteteve të Bashkuara dhe jemi rreshtuar përkrah tyre edhe në këtë konflikt që është me Iranin. Qëndrimet e Shqipërisë, pra qëndrimet zyrtare, ëhë, të cilat kanë qenë të qarta në mbështetje të Shteteve të Bashkuara dhe një lloj rreshtimi edhe kundër regjimit të ajatollahëve, por vendosur këtu edhe prezencën e ish-opozitës iraniane, MEK-un, por edhe çështje të tjera që lidhen me korentet e shërbimeve sekrete të vendeve jo mike. Ëh, të gjitha këto së bashku natyrisht që kanë sjellë një lloj paralajmërimi ëh që duhet të marrë në konsideratë, por shkalla e alarmimit është çështje tjetër. Ne nga natyra nuk është se jemi shumë seriozë në këto paralajmërime, siç kemi qenë në kohën e Covid-it për shembull që nuk ishim seriozë. Po mos i...
- E po frikacak jemi ne?
Arben Çejku: Frikacak nuk jemi. Por ne nuk kemi shpeshherë, nuk kemi atë përgjegjshmërinë ndaj rreziqeve të mëdha që mund të jenë. Shteti shqiptar, qeveria dhe institucionet natyrisht që duhet të marrin masa, jo thjesht për tre-katër ditë. Pra, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se jemi pjesë e një koalicioni që nuk është një vend mik me Iranin dhe me vendet mike të Iranit. Pra, duhet ta dallojmë këtë situatë. Edhe në këtë këndvështrim, agjencitë e sigurisë duhet të marrin masa. Fakti që s'ka ndodhur ndonjë incident, ëh, nuk do të thotë që të mos jemi vigjilentë. Ne duhet të jemi vigjilentë përderisa jemi rreshtuar përkrah vendeve që sot, në një mënyrë ose si tjetër, kanë trazuar folenë e grenzave që është Lindja e Mesme.
Lini një Përgjigje