Arben Shehu prezanton raportin 2025: Probleme në raportimin financiar, prokurime dhe kontrollin e brendshëm
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, në mesazhin shoqërues të Raportit të Performancës për vitin 2025, ka evidentuar një sërë problematikash në menaxhimin financiar dhe administrativ të sektorit publik, si dhe nevojën për forcimin e llogaridhënies dhe transparencës.
Në fjalën e tij, Shehu thekson se auditimet e kryera gjatë vitit kanë nxjerrë në pah dobësi sistemike dhe risqe që cenojnë përdorimin e fondeve publike dhe administrimin e pasurisë shtetërore. Sipas tij, mangësitë janë evidentuar në disa drejtime kryesore, përfshirë saktësinë dhe plotësinë e raportimit financiar, pasqyrimin e aktiveve dhe detyrimeve, si dhe klasifikimin e zërave kontabël.
Kreu i KLSH ndalet veçanërisht te problemet në zbatimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, duke theksuar se auditimet e përputhshmërisë kanë identifikuar dobësi të vazhdueshme në fusha të ndjeshme si prokurimet publike, administrimi i pasurisë shtetërore, menaxhimi i kontratave dhe disiplina buxhetore.
Ndërkohë, sipas tij, auditimet e performancës tregojnë se në shumë raste mungon orientimi drejt rezultateve konkrete dhe të matshme, ndërsa në fushën e teknologjisë së informacionit janë evidentuar nevoja për përmirësimin e sigurisë së sistemeve dhe forcimin e kapaciteteve menaxhuese.
Shehu nënvizon se një ndër sfidat kryesore mbetet zbatimi i rekomandimeve të lëna nga auditimet. Edhe pse, sipas tij, niveli i pranimit të rekomandimeve është i lartë, ritmi dhe cilësia e zbatimit të tyre nga institucionet publike mbetet problematik dhe kërkon më shumë angazhim.
Në të njëjtën kohë, ai thekson se KLSH do të vijojë të forcojë monitorimin dhe dialogun institucional për të garantuar që rekomandimet të përkthehen në ndryshime konkrete dhe të matshme në administratën publike.
Në mesazhin e tij, kreu i KLSH vë në dukje edhe përpjekjet për rritjen e kapaciteteve profesionale të institucionit, përmes trajnimeve dhe bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë, me synim përmirësimin e cilësisë së auditimit dhe përafrimin me standardet bashkëkohore.
Shehu thekson gjithashtu rëndësinë e transparencës dhe komunikimit publik, duke e konsideruar besimin e qytetarëve si të lidhur ngushtë me profesionalizmin dhe paanshmërinë e institucionit.
Raporti i këtij viti përkon edhe me 100-vjetorin e krijimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, një moment që, sipas tij, përfaqëson reflektim mbi rolin e institucionit në forcimin e mirëqeverisjes dhe mbikëqyrjes së financave publike.
Mesazhi i kreut të KLSH, Arben Shehu
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në përmbushje të mandatit të tij kushtetues dhe ligjor, paraqet Raportin e Performancës për vitin 2025, si një dokument që pasqyron veprimtarinë audituese, zhvillimin institucional dhe kontributin e dhënë në forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe mirëqeverisjes në sektorin publik.
Gjatë vitit 2025, KLSH ka vijuar ushtrimin e funksioneve të tij me profesionalizëm, pavarësi dhe përkushtim, duke synuar që përdorimi i fondeve publike dhe administrimi i pasurisë shtetërore të zhvillohen në përputhje me ligjin, me parimet e ekonomicitetit, eficiencës dhe efektivitetit, si dhe në funksion të interesit publik. Nëpërmjet auditimeve të kryera në nivele të ndryshme të qeverisjes dhe në institucione të natyrave të ndryshme, KLSH ka kontribuar në evidentimin e problematikave, dobësive sistemike dhe risqeve që cenojnë menaxhimin e shëndoshë financiar dhe administrativ të sektorit publik.
Puna audituese është mbështetur në standardet ndërkombëtare të auditimit publik, në kuadrin metodologjik të institucionit dhe në një qasje të orientuar drejt cilësisë dhe objektivitetit. Gjetjet dhe rekomandimet e adresuara kanë synuar jo vetëm evidentimin e shkeljeve dhe parregullsive, por mbi të gjitha nxitjen e përmirësimeve të qëndrueshme në sistemet e kontrollit të brendshëm, planifikimit, ekzekutimit buxhetor, prokurimeve publike, administrimit të të ardhurave dhe menaxhimit të aseteve publike.
Auditimet financiare kanë nxjerrë në pah mangësi në saktësinë dhe plotësinë e raportimit financiar, në pasqyrimin e aktiveve dhe detyrimeve, si dhe në rakordimin dhe klasifikimin e zërave kontabël. Auditimet e përputhshmërisë kanë evidentuar dobësi të vazhdueshme në zbatimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, veçanërisht në fushën e prokurimeve publike, administrimit të pasurisë, menaxhimit të kontratave dhe disiplinës buxhetore. Nga auditimet e performancës është konstatuar se, në një sërë rastesh, orientimi drejt rezultateve të matshme dhe ndikimit konkret mbetet ende i pamjaftueshëm, ndërsa auditimet e teknologjisë së informacionit kanë evidentuar nevojën për forcimin e sigurisë së sistemeve dhe të kapaciteteve menaxhuese në këtë fushë.
Një rëndësi e veçantë gjatë vitit 2025 i është kushtuar ndjekjes së zbatimit të rekomandimeve, si një tregues thelbësor i ndikimit të punës së KLSH-së. Pranimi i lartë i rekomandimeve konfirmon vlerësimin institucional të punës sonë, ndërsa ritmi dhe cilësia e zbatimit të tyre mbeten ende një sfidë që kërkon angazhim më të madh nga institucionet publike. Në këtë drejtim, KLSH do të vijojë të forcojë monitorimin dhe dialogun institucional, me qëllim që rekomandimet e dhëna të mos mbeten vetëm në nivel pranimi, por të përkthehen në ndryshime konkrete dhe të matshme.
Gjatë këtij viti, KLSH ka vijuar gjithashtu përpjekjet për forcimin e kapaciteteve të veta profesionale dhe institucionale, nëpërmjet trajnimeve të specializuara, përmirësimit të metodologjive audituese dhe bashkëpunimit me institucione homologe dhe partnerë ndërkombëtarë. Kjo qasje ka synuar rritjen e cilësisë së auditimit dhe përshtatjen e vazhdueshme të institucionit me kërkesat e zhvillimit të administrimit publik dhe të standardeve bashkëkohore të auditimit.
KLSH ka vijuar të mbetet një institucion i hapur ndaj Kuvendit, qytetarëve, medias dhe palëve të tjera të interesit, duke konsideruar transparencën dhe komunikimin publik si pjesë të rëndësishme të misionit të tij. Besimi i publikut ndaj institucioneve të auditimit ndërtohet mbi profesionalizmin, paanshmërinë, integritetin dhe qëndrueshmërinë e punës së tyre, ndaj këto vlera kanë udhëhequr veprimtarinë tonë edhe gjatë vitit 2025.
Viti 2025 përbën një moment të rëndësishëm për KLSH-në, pasi shënoi 100-vjetorin e themelimit të këtij institucioni kyç në fushën e auditimit të jashtëm publik në Republikën e Shqipërisë. Ky përvjetor përfaqëson një moment reflektimi mbi rrugëtimin shekullor të institucionit dhe njëkohësisht një vlerësim të rolit të tij në forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe mirëmenaxhimit të financave publike.
I nderuar lexues,
Raporti i Performancës për vitin 2025 është një pasqyrë e angazhimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për të qenë një institucion i besueshëm dhe në shërbim të interesit publik. Në një mjedis ku kërkesat për llogaridhënie, transparencë dhe përdorim të përgjegjshëm të burimeve publike bëhen gjithnjë e më të larta, roli i KLSH-së mbetet thelbësor për mbështetjen e mirëqeverisjes dhe forcimin e besimit të qytetarëve tek institucionet publike.
KLSH do të vijojë të përmbushë misionin e tij me objektivitet, profesionalizëm dhe pavarësi, duke mbetur një mekanizëm i rëndësishëm mbikëqyrës, një partner institucional për përmirësim dhe një zë i qëndrueshëm në mbrojtje të interesit publik. /Pamfleti
Lini një Përgjigje