TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Prill 2026, 17:30

Skemë e re mashtrimi me SMS në emër të e-Albania për gjobat e automjeteve, polcia apel për kujdes

Shkruar nga Pamfleti

Skemë e re mashtrimi me SMS në emër të e-Albania për

Policia e Shtetit ka njoftuar për një skemë të re mashtrimi që po qarkullon përmes mesazheve SMS, ku qytetarët mashtrohen në emër të platformës shtetërore e-Albania, me pretendimin për pagesën e gjobave të automjeteve.

Sipas autoriteteve, mesazhet dërgohen nga numra të panjohur dhe përmbajnë linke të falsifikuara që imitojnë faqen zyrtare të e-Albania. Përmes këtyre linkeve, synohet përvetësimi i të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve.

Policia sqaron se këto njoftime janë të rreme dhe nuk kanë asnjë lidhje me e-Albania apo institucione të tjera shtetërore. Skema paraqitet e ngjashme me një rast të mëparshëm mashtrimi në emër të Postës Shqiptare, për të cilin është depozituar kallëzim pranë strukturave për Hetimin e Krimeve Kibernetike.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të mos klikojnë në linke të dërguara përmes SMS-ve nga burime të panjohura, si dhe të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe të pakonfirmuara. Gjithashtu, këshillohet të mos veprohet nën presionin e mesazheve që krijojnë ndjesi urgjence.

Policia rekomandon përdorimin vetëm të faqes zyrtare të e-Albania dhe fshirjen e menjëhershme të mesazheve të dyshimta. Çdo rast i tillë duhet të raportohet pranë autoriteteve përkatëse.

Lini një Përgjigje